Agon Fehmiu
27 nëntor 2015•Përditësim: 28 nëntor 2015
PRISHTINË (AA) – Për nder të festës së 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, sot në Prishtinë është hapur panairi “Blej Shqip”, raporton Anadolu Agency (AA).
Ky panair i cili po organizohet nga Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes të Shqipërisë, po mbahet për herë të dytë në Kosovë. Në të marrin pjesë rreth 80 kompani prodhuese nga të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarët, nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi.
Drejtori për Zhvillim Ekonomik i Komunës së Prishtinës, Genc Bashota, ka deklaruar se konsumi sa më i madh i produkteve vendore, aq më i madh do të jetë kontributi dirket i qytetarëve në zhvillimin e ekonomisë së vendit. “Sivjet kemi rreth 80 kompani nga mbarë trojet shqiptare, të cilat prezantojnë tërësisht produktet e tyre dhe ideja është që ky panair të bëhet tradicional, që edhe po shihet sepse ky është viti i dytë rresht” tha Bashota.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemail Minxhozi ka porositur se motoja “Blej Shqip” ka qenë dhe do të jetë motiv i organizimit të këtyre panaireve, për nder të 28 Nëntorit. “E veçantë e këtij viti është se këmbimi tregtarë ndërmjet të Kosovës dhe Shqipërisë është ngritur dukshëm dhe konsiderojmë se, deri në fund të vitit, vlera e këmbimit do të arrijë deri në 200 milion euro, që është për 20 milion euro më shumë se vitin e kaluar” tha ambasadori Minxhozi.
Tendat e prodhuesve që eksponojnë prodhimet e tyre, janë radhitur nëpër Sheshet kryesore në qendër të Prishtinës, duke filluar nga Sheshi “Skënderbe” deri tek Sheshi “Nënë Tereza”. Panairi “Blej Shqip” do të zgjasë tri ditë, deri të dielën.