Tolga Akbaba
04 tetor 2026•Përditësim: 04 tetor 2026
“Muzeu i Pompave të Benzinës” në kryeqytetin iranian Teheran pasqyron historinë e naftës në vend dhe u ofron vizitorëve një udhëtim nostalgjik në të kaluarën, raporton Anadolu.
Muzeu nuk është vetëm një hapësirë ku ekspozohen pajisje teknike, por ruan edhe kujtesën ekonomike dhe shoqërore të krijuar që nga zbulimi i naftës.
Pompat e benzinës, cisternat, tubacionet dhe automjetet e vjetra të ekspozuara aty pasqyrojnë periudha të ndryshme të historisë së naftës në Iran.
Muzeu është projektuar në formën e një stacioni klasik karburanti të periudhës para Revolucionit Islamik të vitit 1979. Ndër objektet e ekspozuara janë pompat e kompanisë franceze “Satam”, të prodhuara në vitin 1921 dhe të përdorura deri në vitin 1971, si dhe modelet e kompanisë britanike “Avery-Hardoll” të periudhës 1951-1960.
Në muze ekspozohet gjithashtu një pompë elektrike benzine e prodhuar në vitin 1976 nga kompania britanike “Beck Meter Pumps”, si dhe një cisternë nafte që për kohën e saj konsiderohej gjigante.
- Në muze edhe automjeti i ministrit Tondguyan
Ndër objektet e muzeut është edhe automjeti i ish-ministrit iranian të Naftës, Muhammed Xhevad Tondguyan, i cili u kap nga ushtarët irakianë gjatë një vizite në rafinerinë e naftës në Abadan gjatë Luftës Iran-Irak dhe vdiq gjatë robërisë.
Në një pjesë tjetër të muzeut, fotografitë dhe hartat historike të fushave të naftës, veçanërisht në jug të vendit, paraqesin zhvillimin kronologjik të industrisë iraniane të naftës.
- Pusi i parë i naftës në Lindjen e Mesme u hap në Iran
Nafta në Iran ishte e njohur që nga periudha e Perandorisë Akamenide (550-331 para Krishtit), por fillimisht përdorej kryesisht për qëllime fetare dhe jo tregtare.
Më 26 maj 1908, sipërmarrësi britanik William Knox D’Arcy zbuloi naftë cilësore në një thellësi prej 360 metrash në rajonin Neftun. Pas shtatë vitesh përpjekjesh dhe shpenzimeve prej 400 mijë paundësh, D’Arcy kishte hapur pusin e parë të naftës në Lindjen e Mesme në Masxhid-e Sulejman, në provincën Khuzestan të Iranit.
Ky zbulim e shndërroi naftën në një faktor kryesor që ndikoi thellësisht në ekonominë dhe politikën e Iranit.
Pusi i parë prodhonte fillimisht rreth 8 mijë gallonë naftë në ditë. Më pas u ndërtua një tubacion që lidhte Masxhid-e Sulejmanin me Abadanin, me kapacitet vjetor transporti prej 400 mijë tonësh, i cili u përfundua në vitin 1912.
Më vonë, pasi D’Arcy ia shiti të drejtat e koncesionit qeverisë britanike, industria iraniane e naftës u zhvillua me shpejtësi në përputhje me nevojat e Britanisë.
Ndërsa nafta u bë një faktor themelor në formësimin e ekonomisë dhe politikës së Iranit, objektet e ekspozuara në “Muzeun e Pompave të Benzinës” pasqyrojnë historinë e kësaj industrie.