Agim Sulaj
14 Tetor 2021•Përditësim: 15 Tetor 2021
Me shfaqjen e filmit dokumentar “Hold me right” nga Danijela Stajnfeld, sonte në kinemanë “Armata” në Prishtinë u hap edicioni i tetë i festivalit kulturor dhe artistik “Mirëdita, dobar dan”, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjatë tri ditëve sa do të zgjasë ky festival, në kryeqytetin kosovar do të prezantohen artistë që përfaqësojnë skenën kulturore dhe shoqërore moderne të Serbisë.
Kushtrim Koliqi, drejtor i organizatës joqeveritare “Integra” në Kosovë, tha se për herë të parë programi i plotë i festivalit do të mbahet në Prishtinë, ndërsa vitet e kaluara ishte mbajtur në Beograd.
“Festivali 'Mirëdita, Dobar dan' është një nga organizimet e pakta bashkëpunuese ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që i ka qëndruar kohës. Dhe, çdo vit po vazhdon të ofrojë mundësi për njohje e bashkëpunim të të dyja shoqërive dhe prodhimeve të ndryshme kulturore dhe artistike”, tha Koliqi.
Koliqi theksoi se festivali i këtij viti, përveç vështirësive të zakonshme, po mbahet në rrethana të jashtëzakonshme të pandemisë COVID-19 dhe një situate të rëndë politike midis Kosovës dhe Serbisë.
Ivan Gjuriq nga Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut e cila e ka organizuar deri më tash këtë festival në Beograd, tha se kjo është një kohë e mirë për të folur, pavarësisht nga rrethanat politike aktuale.
"Krizat lindin dhe konfliktet vazhdojnë sepse ne nuk flasim, sepse nuk e kuptojmë njëri-tjetrin dhe sepse nuk i besojmë njëri-tjetrit. Ky festival synon të trajtojë këtë problem, të besojë, të flasë, të kuptojë dhe të krijojë besim”, tha Gjuriq.
Programi “Mirëdita, dobar dan!” për këtë vit, sipas organizatorëve, do të mbyllet me 16 tetor me filmin “Ngarkesa” të Ognjen Glavoniç.
“Mirëdita, dobar dan!” si qëllim të vetin ka shkëmbimet kulturore në mes të Kosovës dhe Serbisë. Që nga viti 2014 në kuadër të këtij festivali në Beograd është prezantuar skena kulturore dhe shoqërore e Kosovës, ndërsa këtë edicion, festivali prezanton skenën kulturore e shoqërore të Serbisë në Prishtinë.
Qëllimi kryesor i programit “Mirëdita, dobar dan!” është krijimi i lidhjeve të reja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nga persona aktivë në kulturë, media, shoqëri civile, nëpërmjet prezantimeve kritike dhe dialogut mbi çështjet bashkëkohore me të cilat ballafaqohet rajoni dhe promovimin e kulturës si një mënyrë bashkëpunimi dhe mësimi për njëri-tjetrin.