Kapadokya, të pasionuarit pas Mesjetës gjejnë "botën e tyre"
Të veshur me kostume dhe aksesorë të frymëzuar nga Mesjeta, pjesëmarrës nga Turqia dhe jashtë saj u mblodhën në Urgup për një aktivitet katërditor që bashkon të pasionuarit pas historisë, letërsisë, mitologjisë dhe veshjeve të periudhës.
Behçet Alkan, Beril Çanakcı
26 shtator 2026•Përditësim: 26 shtator 2026
photo: Behçet Alkan / AA
Nevsehir
Në rajonin e Kapadokya, Turqi, të njohur për formacionet shkëmbore, banesat në shpella dhe qytetet nëntokësore, qindra persona janë mbledhur për një panair me temë mesjetare, raporton Anadolu.
Të veshur me kostume dhe aksesorë të frymëzuar nga Mesjeta, pjesëmarrës nga Turqia dhe jashtë saj u mblodhën në Urgup për një aktivitet katërditor që bashkon të pasionuarit pas historisë, letërsisë, mitologjisë dhe veshjeve të periudhës.
Veprimtaria u nis në vitin 2023 nga arkitekti 60-vjeçar Muammer Erinal, i cili ka jetuar në Urgup prej 24 vitesh. Ai tha se pasioni i tij për Mesjetën nisi në fëmijëri, kur nëna i lexonte libra me tregime dhe ai krijonte heronj prej kartoni.
Foto : Behçet Alkan/AA
Pasi bleu një ndërtesë të vjetër dhe e shndërroi në një restorant me temë mesjetare, Erinali nisi organizimin e panairit për të bashkuar njerëz me interesa të përbashkëta. Edicioni i këtij viti i Panairit Mesjetar Barbarian u zhvillua më 18-20 shtator.
“Dikur ndihesha i vetmuar për diçka të tillë, por ekziston një komunitet i jashtëzakonshëm i interesuar për Mesjetën. Është kënaqësi të jemi të gjithë bashkë”, tha Erinali.
- Kapadokya, një skenë e përshtatshme për Mesjetën
Vajza e Erinalit, Ada, tha se atmosfera e Kapadokyas e bën rajonin veçanërisht të përshtatshëm për këtë aktivitet.
“Kur dilni jashtë, tashmë ka ndërtesa prej guri dhe drita të zbehta. Nuk mund ta përjetoni këtë në Stamboll apo Ankara”, tha ajo.
Foto : Behçet Alkan/AA
Deniz Apaydin, e cila udhëtoi nga Eskishehiri, tha se Kapadokya i jep asaj ndjesinë sikur është transportuar në një epokë tjetër.
“Këtu ndihem sikur kam jetuar në një epokë tjetër. Pastaj, kur kthehem, them: 'U kthyem përsëri’”, tha ajo.
Pjesëmarrësi nga Rusia, Rafael Bukov, i cili vizitoi Turqinë për herë të parë për këtë aktivitet, tha se u impresionua nga peizazhi dhe numri i madh i njerëzve me kostume të periudhës.
“Është një atmosferë e jashtëzakonshme. Është argëtuese dhe emocionuese”, tha Bukov.