Göksel Yıldırım
27 Nëntor 2021•Përditësim: 28 Nëntor 2021
GÖKSEL YILDIRIM
Kazakistani bëhet adresa e re për eksportimin e mjetit ajror pa pilot (dronit) ANKA të prodhuar nga Industria Ajrore Turke dhe Hapësinore (TUSAŞ), raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas informacioneve të marra, mësohet se droni ANKA i cili ka kryer me sukses detyrën në operacionet e brendshme dhe jashtë kufijve të Turqisë, ka filluar që performancën e tij në fushën e betejës ta pasqyrojë edhe në eksport.
Për këtë çështje pas eksportit të kryer në Tunizi, TUSAŞ vazhdon përpjekjet në gjeografi të ndryshme dhe ka zgjeruar numrin e eksporteve në Azinë e Mesme.
Në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar mes zyrtarëve të TUSAŞ dhe KAZSPECEXPORT, institucionit furnizues në emër të Ministrisë së Zhvillimit të Infrastrukturës së Industrisë së Kazakistanit, ANKA do të kryejë misione edhe në qiejt e Kazakistanit.
Deri në vitin 2023 në kuadër të marrëveshjes së eksportit, Kazakistanit do t'i dorëzohen 3 ANKA, 2 sisteme tokësore si dhe paketa e mbështetjes logjistike (dokumentet teknike, trajnim dhe pjesë këmbimi). ANKA do t‘i shtojë forcë Forcave Ajrore të Kazakistanit.
"Një sukses i veçantë eksporti"
Drejtori i Përgjithshëm i Industrisë Ajrore Turke dhe Hapësinore (TUSAS) Temel Kotil, lidhur me eksportin në Kazakistan tha se "Kemi kryer një sukses të veçantë eksporti për ANKAT tona të cilët janë krenaria e vendit. Eksportin në Kazakistan pas Tunizisë e vlerësojmë si një sukses të rëndësishëm. Na bën krenarë që ANKAT tona do të përdoren në arenën ndërkombëtare. U shpreh falënderimet e mia të gjithë kolegëve që kanë kontribuar në prodhimin e ANKA-s".
Performancë superiore afatgjate në qiell
Me kamera elektro-optike, infra të kuqe, lazer tregues, lazer për gjetjen e distancës, ANKA ka një peshë maksimale ngritjeje prej 1.700 kg dhe mund të qëndrojë në ajër mbi 30 orë. ANKA i cili mund të kryejë misione në lartësinë 23 mijë fit, ka një lartësi maksimale në 30 mijë fit.
Gjithashtu ANKA kryen mision me një rreze të shikimit të linjës që tejkalon 250 kilometra dhe mund të mbartë 350 kg ngarkesë. Falë motorit vendas të fuqishëm, ANKA paraqet një performancë superiore në misionet afatgjate.