Adel Ömeragiç
17 Dhjetor 2015•Përditësim: 17 Dhjetor 2015
PODGORICË (AA) – Ish-presidenti i unionit shtetëror Serbi dhe Mali i Zi, Svetozar Maroviç, është arrestuar sot në mëngjes me urdhër të Prokurorisë Speciale Shtetërore, raporton Anadolu Agency (AA).
Maroviç, i cili momentalisht ushtron funksionin e kryetarit të këshillit politik të Partisë Demokratike Socialiste, është arrestuar rreth orës nëntë të mëngjesit. Gjatë ditës pritet njoftimi zyrtar i Drejtorisë policore dhe Prokurorisë shtetërore të Malit të Zi.
Prokurori Special Shtetëror i Malit të Zi, Milivoje Katiç, paralajmëroi më herët mundësinë e arrestimit të Maroviçit, duke theksuar se ai është “shefi i identifikuar i grupeve të organizuara kriminale në Budvë” dhe paralajmëroi se së shpejti do të zgjerohet hetimi për Maroviç në rastet Jaz dhe TQ plaza.
Të gjithë aktorët e aferës në Budvë në disa procedura të ndara kanë pranuar se janë fajtorë për dëmin disa milionësh e shkaktuar në llogari të komunës së Budvës dhe shtetit. Në paraburgim janë biri i Maroviçit, Millosh, vëllai, Dragan, halla, Mirjana, ndërsa procedurë ka edhe ndaj vajzës së tij, Milene Maroviç-Bogdanoviç si dhe ndaj vjehrrës së Milloshit, Dragice Popoviç. Po ashtu, në paraburgim janë edhe dy ish-prefektët e Budvës, Lazar Ragjenoviç dhe Rajko Kuljaça. Dyshohet se në këto dy raste Budva është dëmtuar për rreth 10 milionë euro.