Presidenti Ivanov takoi presidentët e Kroacisë dhe Sllovenisë
Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, sot ka realizuar takim me presidentin e Sllovenisë Borut Pahor, dhe presidenten e Republikës së Kroacisë Kolinda Grabar- KitaroviqNazmi Abduramani
12 Prill 2016•Përditësim: 13 Prill 2016
ShkupSHKUP (AA) – Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, sot ka realizuar takim me presidentin e Sllovenisë Borut Pahor, dhe presidenten e Republikës së Kroacisë Kolinda Grabar- Kitaroviq, të cilët me ftesë të presidentit Ivanov po qëndrojnë për vizitë pune në Maqedoni, raporton Anadolu Agency (AA).
Në takimin, siç bëhet e ditur në njoftimin e Presidencës, tre presidentët shkëmbyen mendime për ndodhitë aktuale në rajon dhe në Evropë, për krizën e migrantëve, si dhe për integrimet euro-atlantike të Maqedonisë dhe sfidat me të cilët përballet vendi në planin e brendshëm.
Presidenti Ivanov i informoi dy presidentët Grabar- Kitaroviq dhe Pahor për gjenden në kufirin maqedono-grek dhe për incidentin e 10 prillit, dhe theksoi se forcat e sigurisë së Maqedonisë kanë vepruar shpejtë, në mënyrë profesionale dhe adekuate me situatën dhe se Republika e Maqedonisë edhe në të ardhmen do t’i respektojë konstatimet e Këshillit Evropian për mbylljen e tërësishme të Korridorit Ballkanik, thuhet në njoftimin.
Nga ana tjetër presidentët Pahor dhe Kitaroviq e dënuan incidentin dhe u pajtuan se doemos duhet të parandalohen tentimet për migrimin ilegal dhe të dhunshëm. Për këtë qëllim, presidenti Ivanov apeloi që BE-ja t’i ndihmojë Greqisë me qëllim që të mbyllet kampi i improvizuar në Idomeni.
Më pas presidenti i Maqedonisë shprehu falënderim për mbështetjen e Sllovenisë dhe Kroacisë dhe theksoi se Republika e Maqedonisë edhe më tej ka nevojë për ndihmë logjistike dhe teknike për përballje me krizën.
Në takimin u shkëmbyen mendime edhe rreth rreziqeve të zmadhura mbi sigurinë nga kriza e migrantëve, me ç’rast tre presidentët u dakorduan se nevojitet bashkëpunim i përforcuar mes vendeve përgjatë Korridorit Ballkanik në planin e sigurisë, dhe shkëmbimit të informatave në luftën kundër ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm.
Në takimin, siç thuhet më tej në njoftimin, është biseduar edhe për krizën politike në vend dhe nevojën për tejkalimin e saj sa më të shpejtë. Presidenti Ivanov i informoi bashkëfolësit për vendimin e sotëm, motivet për të njëjtin dhe qëllimet mbi të cilat beson se do t’i arrijë.
Vizita e presidentëve të Kroacisë dhe Sllovenisë është në pajtim me një nga konstatimet e Bërdo Procesit të Brionit, sipas të cilit nevojitet realizim sa më i shpejtë i integrimeve të Maqedonisë në BE dhe NATO dhe tejkalimin e sfidave të brendshme, të cilat në masë të madhe gjenerohen dhe shkaktohen nga gjendja e gjatë e 'status-quo'-s në eurointegrimet e Republikës së Maqedonisë.
Në takimin trilateral u përshëndetën marrëdhëniet e shkëlqyera politike mes Maqedonisë, Sllovenisë dhe Kroacisë dhe u riafirmuan përpjekjet për thellimin e bashkëpunimit në planin bilateral dhe multirateral, dhe në ballafaqimin me të gjitha sfidat aktuale.