Ivana Ramadanova
17 Mars 2016•Përditësim: 17 Mars 2016
SHKUP (АА) – Punëtorët e falimentuar nga Kumanova, së bashku me punëtorët tjerë të falimentuar nga qytetet tjera sot sërish dolën në rrugë. Ata kërkojnë nga institucionet kompetente dhe qeveria zgjidhjen sistematike të problemeve të 4 mijë të falimentuarve, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas kryetares së punonjësve të falimentuar Liljana Georgievska nëse së shpejti nuk zgjidhet problemi i të falimentuarve, ata do të fillojnë me protesta intensive, duke bllokuar pikat pagesore, vendkalimet kufitare dhe rrugët në Shkup.
“Protestën e filluam para godinës së Lidhjes së Sindikatave, prej ku kërkuam dorëheqje nga kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Zhivko Mitrevski, sepse ai si njeri i parë i këtij institucioni nuk ka ndërmarrë kurrfarë masash për këtë kategori të punëtorëve, duke mos ftuar asnjë të falimentuar që të kthehet në punë apo ta dëmshpërblejë”, deklaroi Georgievska.
Të falimentuarit më pas protestuan para Parlamentit prej ku kërkuan sa më shpejtë të miratohet Ligji për dëmshpërblimin e punonjësve të falimentuar.
“Nëse deputetët nuk e votojnë këtë ligj me të cilin të falimentuarit do të dëmshpërblehen, për ne nuk do të ketë zgjedhje. Nëse e gjithë kjo nuk ka sukses dhe nuk gjendet ndonjë zgjidhje e përshtatshme, koordinuesit e punonjësve të falimentuar do të jenë para qeverisë dhe do të mbajnë grevë urie”, shtoi Georgievska.
Punonjësit e falimentuar porositën se institucionet së bashku me qeverinë duhet t’i ndihmojnë kësaj kategorie të njerëzve, duke shtuar se “më mirë është për ta që t’u bashkangjiten refugjatëve të Sirisë, për të marrë ndonjë privilegj sesa të jenë pjesë e shtetit në të cilin askush për ta nuk interesohet”.
Sipas kryetares Georgievska, në protestën e sotme ishin të pranishëm punonjës të falimentuar nga Kumanova, Koçani, Kriva Pallanka dhe Gostivari.