Fatjon Cuka
03 Mars 2016•Përditësim: 03 Mars 2016
TIRANË (AA) - Tryeza për bashkëpunimin rajonal rreth çështjeve penale ka mbledhur së bashkë në Tiranë drejtues dhe përfaqësues të gjykatave të larta nga Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi. Në këtë tryezë ka marrë pjesë edhe ministri i Drejtësisë së Shqipërisë, Ylli Manjani, i cili ka mbajtur edhe një fjalë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në tryezë merrnin pjesë zëvendëskryetari i Gjykatës Supreme të Maqedonisë, Faik Arslani, kryetari i gjykatës së Lartë të Shqipërisë, Xhezair Zaganjori dhe Vesna Medenica, kryetare e Gjykatës së Lartë të Malit të Zi.
Ministri i Drejtësisë të Shqipërisë, Ylli Manjani u shpreh se sfidat për vendet e rajonit janë të përbashkëta dhe nisur nga kjo, ai theksoi se është i domosdoshëm bashkëpunimi mes gjykatave të larta të rajonit.
"Është momenti ta ndërtojmë hapësirën e bashkëpunimit me qëllim që unifikimi i praktikave gjyqësore te bëhet sa më unik të jetë i mundur. E rëndësishme është që keni filluar të bashkëpunoni. Sfidat i kemi të përbashkëta, krimi i organizuar, pastrimi i parave dhe trafiku është gjithë andej. Ne e shikojmë së pari bashkëpunimin ndërmjet gjykatave të larta si kusht të domosdoshëm për bashkëpunimin ekselent gjyqësor ndërmjet shteteve tona dhe e nxis këtë bashkëpunim”- u shpreh Manjani.
Ndërkohë kryetari i Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë, Xhezair Zaganjori, në fjalën e tij u shpreh se e rëndësishme është që të bashkëpunohet edhe në luftën kundër terrorizmit.
Në këtë tryezë përveç drejtuesve dhe përfaqësuesve të gjykatave të larta nga Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi, marrin pjesë dhe ekspertë të sistemit të drejtësisë. Në tryezë do të diskutohet për luftën kundër krimit të organizuar, ekzekutimin e vendimeve penale në nivel rajonal, ndihma juridike e ndërsjellë, standardet ndërkombëtare për praktikat gjyqësore, etj.