Gözde Bayar
08 Dhjetor 2020•Përditësim: 08 Dhjetor 2020
Një anije turke që transportonte ilaçe në portin Misrata të Libisë u ndalua sot herët nga forcat besnike të komandantin puçist Khalifa Haftar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ahmed Al-Mismari, zëdhënësi i Haftarit, tha në llogarinë e tij në rrjetet sociale se anija "Mebruka" e mallrave tregtare me flamur të Xhamajkës, pronari i së cilës raportohet se është turk, u kap nga milicia e Haftarit. Milicia pretendon se anija hyri në një zonë të ndaluar duke mos iu përgjigjur thirrjeve dhe u tërhoq në portin e Ras al-Hilal.
Al-Mismari shtoi se anija ishte "hetuar dhe inspektuar sepse i shkeli rregullat dhe ligjet detare".
Ai gjithashtu i tha kanalit televiziv Al-Hadath se anija ishte e ngarkuar me ilaçe që duhej të dërgoheshin në Misrata, por hyri në zonën e ndaluar.
Duke pretenduar se ata i bënë një thirrje anijes por nuk morën një përgjigje, Mismari tha: "Ne iu afruam anijes me varka dhe hipëm në të".
Kapiteni nuk ndoqi procedurat dhe anija hyri në zonën e ndaluar pa leje, tha ai, duke shtuar se në bord nuk kishte armë.
Sipas informacionit të siguruar nga AA, ekuipazhi është në gjendje të mirë.
Burimet thanë se procedura është zbatuar edhe për anijet e tjera në rajon por asnjë anije nuk është sekuestruar dhe është parashikuar një ndëshkim për hyrjen në zonën e gabuar.
Libia është shkatërruar nga lufta civile që nga rrëzimi i Muammar Gaddafit në vitin 2011.
Qeveri e re u themelua në vitin 2015 nën marrëveshjen e udhëhequr nga OKB, por përpjekjet për zgjidhje politike afatgjatë kanë dështuar përballë sulmeve nga forcat e Haftarit.
Turqia mbështet qeverinë legjitime të vendit, me qendër në kryeqytetin Tripoli.