Fatjon Cuka
11 Shkurt 2016•Përditësim: 11 Shkurt 2016
TIRANË (AA) – Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Republikës së Sllovenisë, Milan Brglez, ka deklaruar gjatë vizitës në Tiranë se vendi i tij ka mbështetur gjithmonë përpjekjet e Shqipërisë drejt integrimit evropian dhe do të mbështesë përpjekjet e vendit për anëtarësim të plotë në BE. Brglez është takuar me kreun e Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, ku kanë mbajtur dhe një konferencë të përbashkët për mediat. Kryeparlamentari slloven është ndalur edhe në krizën e refugjatëve, ku ka theksuar se kjo krizë është një problem i të gjithë BE-së, raporton Anadolu Agency (AA).
“Sllovenia është jo vetëm një vend mik, por një vend partner dhe një avokat i rëndësishëm i procesit të integrimit të Shqipërisë dhe rajonit në Bashkimin Europian. Ne vlerësojmë ekspertizën sllovene brenda strukturës së Bashkimit Europian. Sot nënshkruam memorandumin e mirëkuptimi mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Asamblesë Kombëtare të Republikës së Sllovenisë dhe kemi konfirmuar vullnetin e përbashkët për rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve. Kemi rënë dakord të krijojmë një kornizë të përbashkët të bashkëpunimit parlamentar”- u shpreh Meta.
Meta ka deklaruar gjithashtu se me homologun slloven kanë ndarë bindjen se marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve duhet të reflektojnë një nivel më të lartë shkëmbimi.
Në lidhje me ftesën e NATO-s për Malin e Zi, Meta ka pohuar se i shërben forcimit të parametrave të sigurisë në rajon dhe është një sinjal i qartë për të ardhmen euro-atlantike të rajonit.
Brglez ka deklaruar se marrëdhëniet mes Sllovenisë dhe Shqipërisë janë në një nivel shumë të mirë dhe parlamentet e dy vendeve sipas tij do të ndikojnë për forcimin e këtyre marrëdhënieve. “Sllovenia ka mbështetur gjithmonë përpjekjet e Shqipërisë drejt integrimit evropian dhe do të mbështesë përpjekjet e vendit për anëtarësim të plotë në BE. Jemi shumë të kënaqur me reformat që deri tani ka ndërmarrë Shqipëria, në mënyrë të veçantë me reformën në sistemin e drejtësisë. Këto reforma do të ndikojnë në afrimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Shpresojmë të rrisim edhe bashkëpunim ekonomik, kulturor dhe shkencor mes dy vendeve”.
Në fokus të dy kryeparlamentarëve ishte edhe kriza e refugjatëve. Kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, ka theksuar se Shqipëria ka qenë e mbetet e angazhuar për të dhënë kontributin e saj për krizën e refugjateve. Sipas tij të gjithë vendet e rajonit do të mbajnë përgjegjësitë e tyre për të përballuar këtë krizë.
Në vlerësimin e kryeparlamentarit slloven, kriza e refugjatëve është një problem i gjithë Bashkimit Europian, pasi sipas tij dimensioni i kësaj krize është i tillë që do të jetë vendimtar për të ardhmen e institucioneve evropiane. “Deri më tani vendimet janë marrë duke mos pasur një qasje të përbashkët të BE-së. E ardhmja e Bashkimit Europian varet shumë nga bashkëpunimi i atyre që duan një zgjidhje të përbashkët. Në të ardhmen kjo do të prekë edhe Shqipërinë siç po prek vendet e tjera të Ballkanit. Institucionet evropiane deri tani kanë qenë shumë të ngadalta në të kuptuarit e problemit që sjell kjo gjë në BE, duke pas një lloj të kuptuarit nga njëra anë të hapjes dhe nga ana tjetër të mbyllje ndaj këtij fenomeni. Kryeministri ynë propozoi zgjidhje në lidhje mes kufirin mes Greqisë dhe Turqisë dhe zgjidhje mes Maqedonisë dhe Sllovenisë”- u shpreh Brglez.
Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Republikës së Sllovenisë pas takimit me presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani, do të mbajë sot një fjalë përshëndetëse në Kuvendin e Shqipërisë.