Fatjon Cuka
19 Shkurt 2016•Përditësim: 19 Shkurt 2016
TIRANË (AA) - Asambleja Parlamentare e vendeve të Mesdheut (PAM) në përvjetorin e saj të 10-të ka vazhduar edhe sot në Tiranë diskutimet mes delegacioneve pjesëmarrëse nga disa vende, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas informacioneve zyrtare nga Kuvendi i Shqipërisë, në sesion kanë marrë pjesë 250 delegatë, duke përfshirë përfaqësues të nivelit të lartë nga parlamentet e ndryshme, Kombet e Bashkuara dhe organizata të tjera rajonale. Në këtë sesion është diskutuar mbi sfidat aktuale që përballet rajoni i Mesdheut, ku në fokus ishin çështjet që lidhen me migracionin dhe luftën kundër terrorizmit.
Kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, në kuadër të Asamblesë Parlamentare të Mesdheut është takuar sot me kryetarin e Dhomës së Popujve të Asamblesë Parlamentare të Bosnje dhe Hercegovinës, Ognjen Tadić.
Nga burimet zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë, mësohet se Meta shprehu mirënjohjen për pjesëmarrjen e delegacionit nga Bosnja dhe Hercegovina në Asamblenë Parlamentare të Mesdheut duke vënë në dukje domethënien e organizimit për herë të parë të PAM-it në një vend të Ballkanit.
Gjithashtu Meta ka takuar edhe kryetarin e Asamblesë Popullore Kombëtare të Algjerisë, Mohamed Larbi Ould Khelifa.
Punimet e Asamblesë në ditën e parë i përshëndeti edhe Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Bank Ki moon përmes një video-mesazhi. Në fjalën e tij, Bank Ki moon theksoi se bashkëpunimi midis Asambleve Parlamentare të Mesdheut dhe Kombeve të Bashkuara nuk ka qenë kurrë më parë kaq i rëndësishëm, ndërsa inkurajoi vendet që të punojnë bashkërisht në luftën kundër terrorizmit dhe për zhvillimin e një plan-veprimi për parandalimin e dhunës ekstremiste.
Në sesionin e 10-të të Asamblesë Parlamentare të Mesdheut (PAM) që zhvilloi punimet përgjatë dy ditëve, dhe që mbyllet sot, morën pjesë kryetarë, nënkryetarë dhe deputetë të Parlamenteve nga Shqipëria, Turqia, Bosnje dhe Hercegovina, Serbia, Izraeli, Egjipti, Greqia, Italia, Libia, Siria, Malta, Maroku, Palestina, Portugalia, etj.