İhvan Radoykov
17 Maj 2016•Përditësim: 18 Maj 2016
SOFJE (AA) – Ministri i Punëve të Jashtme i Bullgarisë, Daniel Mitov, tha se “Evropa do të jetë e plotë vetëm atëherë kur Ballkani Perëndimor do të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian”, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Dimitër Bushati, i cili vizitoi kryeqytetin e Bullgarisë, Sofje, për të marrë pjesë në Mbledhjen e 126-të Ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës , u takua me homologun e tij bullgar Mitov.
Thuhet se në takim, krahas marrëdhënieve dypalëshe, u diskutuan tema në lidhje me bashkëpunimin e Ballkanit Perëndimor dhe Shqipërisë me BE-në. Pas takimit u nënshkrua memorandumi i mirëkuptimit mes palëve në lidhje me integrimin e Shqipërisë në BE.
Ministri i Jashtëm i Bullgarisë, Mitrov, duke theksuar se mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në BE, u shpreh se “Evropa do të jetë e plotë vetëm atëherë kur Ballkani Perëndimor do të bëhet pjesë e BE-së”.
Mitov gjithashtu tha se memorandumI i nënshkruar do t’i intensifikojë marrëdhëniet dypalëshe dhe shtoi se “Jemi të gatshëm që me homologët tanë shqiptarë ta ndajmë çdo lloj përvoje të cilën e posedojmë në mënyrë që ata të jenë të suksesshëm në procesin e reformave drejt anëtarësimit në BE, reforma këto të cilët nuk janë të lehta.”
Nga ana tjetër, Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Bushati, tha: “Duam garanci që e ardhmja e shteteve të Evropës Juglindore do të jetë e lidhur me NATO-n. Në kuadër të kësaj, anëtarësimi i Malit të Zi llogaritet si një përparim i mirë dhe racional që do të ofronte stabilitet në rajonin tonë. Nga ana tjetër, efekti i aktorëve të tjerë në rajon të cilët i quajmë si pala e tretë, do të zvogëlohet. Krizat në Evropën Juglindore do të tejkalohen me prezencën më të madhe të NATO-s dhe BE-së. Gjithsesi, dialogu mes Bullgarisë dhe Shqipërisë është shumë i mirë.”
Duke theksuar se së bashku me Bullgarinë i ndjekin nga afër zhvillimet në Maqedoni, Bushati u shpreh se “Dëshirojmë që në Maqedoni të ketë stabilitet.”
Bushati gjithashtu theksoi se është i nevojshëm rikrijimi i dialogut për gjetjen e zgjidhjes për krizën në Maqedoni, duke nënvizuar se e mbështesin anëtarësimin e këtij vendi në NATO.
Duke rikujtuar se ekzistojnë kritere të qarta për anëtarësim të caktuara në mbledhjen që u mbajt në Bukuresht në vitin 2008, Bushati theksoi se “Këto kritere vlejnë si për Maqedoninë, ashtu edhe për kandidatët tjerë për anëtarësim që dëshirojmë t’i bashkohen NATO-s. Ato do të vazhdojmë t’i mbrojmë edhe në mbledhjen e NATO-s që do të mbahet në Varshavë."