Fuat Kabakçı
25 Gusht 2016•Përditësim: 25 Gusht 2016
ANKARA (AA) – Ministri i Jashtëm britanik, Boris Johnson, i ka shprehur falënderime homologut turk, Mevlüt Çavuşoğlu për realizimin me sukses të operacionit “Mburoja e Eufratit” kundër DAESH-it, raporton Anadolu Agency (AA).
Nga informacionet e siguruara nga burime diplomatike, mësohet se Çavuşoğlu dje ka zhvilluar bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm të Spanjës, Jose Manual Garcia Margallo dhe atë të Britanisë, Boris Johnson. Kërkesat për bisedë kanë ardhur nga pala tjetër.
Në bisedën me homologun britanik, Johnson, Çavuşoğlu ka dhënë informacione në lidhje me operacionin “Mburoja e Eufratit”. Johnson i ka përcjellur falënderime ministrit Çavuşoğlu për realizimin me sukses të operacionit, duke e dënuar më tej sulmin terrorist tradhtar që ndodhi në Gaziantep më 20 gusht dhe duke i shprehur ngushëllime për ata që humbën jetën.
Gjatë bisedës, palët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit në luftën kundër terrorizmit, ndërkohë që po ashtu u pajtuan që ta forcojnë edhe më tej bashkëpunimin në këtë pikë.
Nga ana tjetër, në bisedën me homologun spanjoll, Çavuşoğlu dhe de Margallo kanë shkëmbyer pikëpamjet në lidhje me zhvillimet që pasuan pas tentativës për grusht shteti më 15 korrik. Gjatë bisedës u diskutuan tema dypalëshe dhe rajonale dhe u bënë vlerësime në lidhje me kalendarin e vizitave për periudhën e ardhshme.