Fatjon Cuka
09 Tetor 2017•Përditësim: 09 Tetor 2017
TIRANË (AA) - Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, priti sot në një takim drejtorin e Përgjithshëm për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat për Zgjerimin pranë Komisionit Evropian, Christian Danielsson, i cili ka filluar sot një vizitë zyrtare në Shqipëri, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim zyrtar nga Kuvendi i Shqipërisë theksohet se Ruçi u shpreh gjatë takimit se “mes forcave politike shqiptare nuk ka diferencime sa i përket rrugës së integrimit të vendit për në BE".
"Ruçi përshkroi masat e marra për forcimin e funksionit ligjvënës të Kuvendit, për forcimin e rolit mbikëqyrës dhe kontrollit parlamentar, për forcimin e transparencës parlamentare, forcimin e autonomisë financiare të Kuvendit, si dhe forcimin e kapaciteteve administrative të këtij institucioni. Christian Danielsson vuri në dukje mjedisin pozitiv në Evropë për pranimin e Ballkanit Perëndimor si pjesë e saj dhe se Shqipëria duhet të përfitojë nga kjo mundësi, duke përmbushur rekomandimet e BE-së për hapjen e negociatave", thuhet ndër të tjera në njoftim.
Ndërkohë nesër zyrtari i Komisionit Evropian, pritet të takohet me kryeministrin e vendit, Edi Rama dhe me ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj, etj. Ai nesër së bashku me ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro, do të vizitojnë qytetin e Fierit.