Saimir Alija
09 Maj 2018•Përditësim: 09 Maj 2018
TIRANË (AA) - Me rastin e 9 Majit, Ditës së Evropës, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi zhvilloi një bashkëbisedim me gazetarët, ku deklaroi se integrimi në Bashkimin Evropian (BE) është objektiv strategjik dhe kombëtar i vendit, raporton Anadolu Agency (AA).
Në fjalën e tij, Ruçi tha se integrimi i plotë në familjen evropiane është sipas tij alternativa për të ndërtuar Shqipërinë që duan të gjithë.
“Integrimi evropian mund të jetë i suksesshëm vetëm nëpërmjet reformave të thella dhe gjithëpërfshirëse, që forcojnë shtetin e së drejtës, garantojnë pavarësinë e degëve të qeverisjes, ndërtojnë institucione demokratike, një sistem gjyqësor të pavarur dhe një qeverisje të pakorruptuar”, tha Ruçi.
Sipas Ruçit, integrimi në BE është objektiv strategjik dhe kombëtar që gëzon mbështetjen e të gjithë qytetarëve shqiptarë.
“Përvoja e suksesshme e zgjerimit të BE-së drejt vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore na mëson se objektivi i aderimit në BE mund të arrihet vetëm kur ka konsensus afatgjatë dhe të qëndrueshëm mes shumicës dhe opozitës. Anëtarësimin në BE duhet ta vlerësojmë si një përpjekje të përbashkët për të ecur përpara dhe dobiprurës për të gjithë qytetarët e vendit" deklaroi Ruçi.
Me rastin e Ditës së Evropës janë organizuar disa aktivitete gjatë ditëve të fundit në Tiranë, por edhe në qytete të tjera të vendit.
Kujtojmë se 9 Maji shënohet si Dita e Evropës, ku Deklarata e 9 majit e vitit 1950 është data kur u hodh hapi i parë drejt krijimit të Unionit që sot njihet si Bashkimi Evropian.