Ivana Ramadanova
06 Qershor 2017•Përditësim: 06 Qershor 2017
SHKUP (АА) - Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov sot zhvilloi takimin e parë me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Maqedoni, Samuel Zhbogar, raporton Anadolu Agency (AA).
Nga Kabineti i ministrisë bënë të ditur se në takim ministri Dimitrov ka theksuar gatishmërinë e Qeverisë për angazhim të plotë për implementimin e reformave kryesore me qëllim që në një afat sa më të shkurtër të hapet rruga për ripërtëritjen e rekomandimeve për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.
"Në këtë drejtim, u diskutuan aktivitetet më të rëndësishme të ardhshme të mëdha të axhendës evropiane. Lëvizja e proceseve integruese evropiane do të mundësojë hapjen e diskutimit për sjelljen e vendimit për fillimin e negociatave për anëtarësim si një hap drejt arritjes së qëllimit strategjik të Maqedonisë - anëtarësim në BE", thuhet në deklaratën e ministrisë.
Të dy zyrtarët kanë shprehur gatishmërinë e ndërsjellë për bashkëpunim dinamik në drejtim të arritjes së këtyre qëllimeve.