Zülfiya Yakup
10 Nëntor 2015•Përditësim: 11 Nëntor 2015
PRISHTINË (AA) - Përkundër një viti sfidues, Kosova ka dëshmuar të arritura të mëdha, në mënyrë të veçantë nënshkrimin dhe ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), si një e arritur e rëndësishme dhe marrëdhënie e parë kontraktuale në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian, deklaroi sot në Prishtinë, Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, me rastin e publikimit të raportit të Komisionit Evropian për përparimin e Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).
"Kjo Marrëveshje do të thellojë lidhjet politike, ekonomike dhe tregtare në mes të Kosovës dhe BE-së. Ajo do të krijojë kornizën kryesore për marrëdhëniet në mes të BE-së dhe Kosovës, duke e përgatitur më tej Kosovën për në rrugën e saj evropiane", theksoi Zhbogar sipas të cilit përkundër një vonese në formimin e institucioneve pas zgjedhjeve të vitit 2014, shteti ka arritur të nxjerrë ligje të rëndësishme, duke nënvizuar pakon gjyqësore dhe pakon për të drejtat e njeriut, qenësore për procesin e liberalizimit të vizave.
Zhbogar tha se me bllokimin e Kuvendit të Kosovës përsëri, po vonohen edhe reformat kryesore që i duhen Kosovës.
Sipas tij, Kosova nuk ka kohë për të humbur. "Koha e humbur e largon Kosovën nga një e ardhme më e mirë për popullin e saj, fëmijët e saj”, tha Zhbogar.
"Me ratifikimin e pritur të MSA-së nga Parlamenti Evropian në fillim të vitit të ardhshëm, ne do të kemi një mjet të fuqishëm për dialogun politik", vlerëson Zhbogar sipas të cilit BE-ja do të ofrojë mbështetjen e saj dhe këshillimin për Kosovën në këtë punë të rëndësishme.