Rabia İclal Turan
18 qershor 2026•Përditësim: 18 qershor 2026
Disa ligjvënës republikanë kanë kritikuar memorandumin e mirëkuptimit midis SHBA-së dhe Iranit, i cili synon t’i japë fund luftës 4-mujore dhe të rihapë Ngushticën e Hormuzit, duke paralajmëruar se marrëveshja përfshin lëshime të konsiderueshme dhe mund të minojë interesat e sigurisë së SHBA-së, transmeton Anadolu.
"Reagan-i po rrotullohet në varrin e tij", shkroi senatori republikan nga Luiziana, Bill Cassidy, në rrjetin social amerikan X, pasi zyrtarët amerikanë publikuan tekstin e memorandumit me 14 pika, i cili u nënshkrua në formë elektronike dje nga presidentët e të dy vendeve.
"Ambiciet bërthamore të Iranit nuk janë frenuar dhe ata kanë mësuar se kërcënimi ndaj Ngushticës së Hormuzit funksionon dhe padyshim do ta përdorin këtë si mjet presioni edhe në të ardhmen. Tani, Irani do të ndërtojë infrastrukturë krejtësisht të re në kuadër të kësaj marrëveshjeje", shkroi Cassidy.
"Para luftës, ngushtica ishte e hapur, Irani po goditej rëndë nga sanksionet dhe 13 ushtarakë ishin ende gjallë. Tani, 13 amerikanë kanë vdekur, familjet kanë paguar miliarda dollarë më shumë për karburantin, sanksionet do të hiqen dhe bombardimet kanë ndaluar", shtoi ai.
Senatori republikan nga Teksasi, Ted Cruz, për median konservatore Daily Wire tha se shpreson të shohë më shumë detaje, por shtoi se disa elemente të asaj që është bërë publike deri tani duken "të pamenduara mirë".
"Historia na mëson se dhënia e miliarda dollarëve fanatikëve teokratikë që duan të na vrasin është një ide e keqe", tha ai. Ndërkaq, senatori Lindsey Graham fillimisht shprehu rezerva, por më vonë, pas diskutimeve me zyrtarët amerikanë, tha se rihapja e Ngushticës së Hormuzit dhe përfundimi i armiqësive mund të jenë të dobishme.
"Nëse SHBA-ja mund të arrijë apo jo një marrëveshje të pranueshme dhe të verifikueshme me Iranin për programin e tij bërthamor dhe çështje të tjera, kjo mbetet për t'u parë, por unë nuk shoh ndonjë anë negative në përpjekjen për ta arritur atë", shkroi ai në X.
"Stabiliteti ekonomik që vjen nga hapja e ngushticës dhe ndërprerja e armiqësive mund të krijojë një rrugë drejt paqes që shkon përtej konfliktit me Iranin", shtoi ai. Dje, SHBA-ja dhe Irani njoftuan zyrtarë nga të dy vendet, nënshkruan nga distanca një memorandum mirëkuptimi.
Drafti me 14 pika, i bërë publik nga zyrtarët amerikanë, parashikon ndërprerjen e menjëhershme dhe të përhershme të operacioneve ushtarake në të gjitha frontet, përfshirë Libanin, heqjen e bllokadës detare ndaj Iranit brenda 30 ditësh dhe kalimin e sigurt të anijeve tregtare përmes Ngushticës së Hormuzit.
Ai gjithashtu përfshin një plan rindërtimi dhe zhvillimi ekonomik për Iranin me vlerë minimale prej 300 miliardë dollarësh, lehtësime për eksportet e naftës, lirimin e aseteve të ngrira të Iranit dhe riafirmimin nga Teherani se nuk do të zhvillojë armë bërthamore, ndërsa e ardhmja e rezervave të uraniumit të pasuruar do të negociohet më vonë.