Muhammet Emin Avundukluoğlu
27 janar 2021•Përditësim: 27 janar 2021
Parlamenti i Turqisë së shpejti mund të presë propozimet e reja të reformave, tha sot presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, raporton Anadolu Agency (AA).
"Së shpejti do të fillojmë të paraqesim pakot e reja të reformave, të cilat jemi gati t’i përfundojmë për shqyrtim në Parlament", i tha Erdoğan grupit parlamentar të Partisë së tij në pushtet për Drejtësi dhe Zhvillim (AK).
Publiku do të shohë "se këto pako reformash përmbajnë rregullore shumë fundamentale dhe të rëndësishme që do ta çojnë vendin tonë deri në vitin 2023 dhe për tej", shtoi ai, duke iu referuar 100-vjetorit të Republikës së Turqisë.
Reformat gjithëpërfshirëse "do të përgatisin Turqinë për të ardhmen në një sferë të gjerë duke nisur nga të drejtat dhe liritë themelore deri në forcimin e klimës së besimit ekonomik", tha Erdoğan.
Duke ndjekur reformat që ka kryer që nga ardhja në pushtet në vitin 2002, me këto reforma të reja Partia AK do të ndërmarrë hapa shtesë, tha ai.
"Përgatitjet tona për reformat tona ligjore dhe ekonomike, të cilat ne i shohim si një pjesë e pandashme e ndryshimit dhe zhvillimit janë formuar në një masë të madhe", tha Erdoğan.
Pas shqyrtimit të reformave nga Organi ekzekutiv qendror i partisë, propozimet gjithëpërfshirëse të reformave së shpejti do të bëhen publike, shtoi ai.
Vitin e kaluar, në mesin e ndryshimeve në administratën ekonomike të Turqisë, lidershipi i shtetit u zotua për reforma të mëtejshme ekonomike dhe ligjore si dhe reforma për të drejtat dhe liritë, për të çuar përpara vendin.