Fatjon Cuka
13 Korrik 2016•Përditësim: 14 Korrik 2016
TIRANË (AA) - Në Tiranë ka filluar punimet Konferenca e Ambasadorëve të Shqipërisë në botë, një aktivitet i cili mbledh titullarët e përfaqësive diplomatike dhe konsullore të Republikës së Shqipërisë nëpër vendet e ndryshme të botës, raporton Anadolu Agency (AA).
Hapja e kësaj konference treditore është bërë nga ministri shqiptar i Punëve te Jashtme, Ditmir Bushati dhe homologu i tij italian, Paolo Gentiloni, të cilët kanë mbajtur edhe fjalët përshëndetëse.
Ministri Bushati gjatë fjalës së tij i kushtoi vëmendje rolit të diasporës shqiptare. "Përgjegjësitë e ministrisë që unë drejtoj sa vijnë dhe shtohen. Ndërkohë 1 në 3 shqiptar jeton jashtë vendit. E rëndësishme për ne është të përfshijmë diasporën në proceset zhvillimore të vendit. Ne kemi zgjeruar shërbimet konsullore duke prezantuar në Itali mundësinë e marrjes së certifikatës aty. Kjo praktikë që ka nisur në Itali do të prezantohet edhe në vende të tjera'', u shpreh Bushati në fjalën e tij.
Gjithashtu pjesë e fjalimit të tij ishin edhe çështjet që lidhen me marrëdhëniet me SHBA-në, integrimi i Kosovës në strukturat euroatlantike, mbështetja e Shqipërisë për vendet e rajonit për anëtarësim në NATO. Bushati ka theksuar më tej se synimi strategjik i Shqipërisë mbetet anëtarësimi në Bashkimin Evropian.
Ndërsa kryediplomati italian, Paolo Gentiloni, ka theksuar se kjo konferencë organizohet si një përgjigje ndaj sfidave aktuale të diplomacisë. "Brexit përbën një vështirësi për Bashkimin Evorpian. Por Evropa është në gjendje të ecë përpara edhe pas Brexit", u shpreh Gentiloni.
Nesër në ditën e dytë të punimeve të konferencës do të jetë paneli me temë "Perspektivat e integrimit të Ballkanit Perëndimor: Të notosh kundër rrymës", ku do të mbajë një fjalim ministrja e Integrimit Evropian të Shqipërisë, Klajda Gjosha.
Ndërsa në ditën e tretë vëmendje do ti kushtohet zhvillimeve në rajon në sektorë të ndryshëm, rritjes ekonomike, qeverisjes dhe të drejtave të njeriut.