Besar Ademi,Cuneyt Davut
03 Dhjetor 2015•Përditësim: 04 Dhjetor 2015
IDOMENI (AA) – Emigrantët ekonomik të cilët që prej dy ditësh kishin bllokuar kalimin e kufirit greko-maqedonas, më në fund vendosën të lejojnë refugjatët nga Siria, Afganistani dhe Iraku për kalimin e kufirit, raporton Anadolu Agency (AA).
Grupi i emigrantëve ekonomik të cilët policia greke nuk mundi t’i largojë dhe t’iu sigurojë kalimin e kufirit refugjatëve, pas negociatave me UNHCR-në vendosën të lirojnë kufirin. Policia greke me qëllim që të sigurojë rrugën për të kaluar refugjatët në Maqedoni, me forcë dhe gaz lotsjellës arriti t’i largojë mijëra emigrantë ekonomik, por në grupin e fundit nuk mundi të ndërhyjë, për arsye se mes tyre kishte fëmijë dhe të moshuar.
Refugjatët ishin të bllokuar në mes Greqisë dhe Maqedonisë, për shkak se emigrantët ekonomik nga Bangladeshi, Pakistani, Irani dhe Maroku mëngjesin e djeshëm bllokuan kalimin e kufirit, pasi sipas tyre kufiri duhet të jetë i hapur për të gjithë, e jo të selektohen personat nga origjina e shtetit për nga vijnë.
Ata tashmë mbi dy javë ndodhen të bllokuar në vendkalimin kufitar greko-maqedonas, për shkak se vendet e Evropës vendosën që të pranojnë refugjatë vetëm nga Siria, Afganistani dhe Iraku, ndërsa jo emigrantë ekonomik nga vendet ku nuk ka luftë.