Besar Ademi
01 Nëntor 2016•Përditësim: 02 Nëntor 2016
SHKUP (AA) – Komandanti i përgjithshëm i Forcave tokësore të SHBA-ve në Evropë, Frederick Ben Hodges, i cili qëndron për vizitë zyrtare në Maqedoni, deklaroi se Forcat tokësore që drejton ai, do të vazhdojnë të mbështesin ushtrinë e Maqedonisë në trajnime dhe misione ndërkombëtare, e cila do të ndihmojë dhe lehtësojë perspektivën euro-atlantike të këtij vendi, raporton Anadolu Agency (AA).
Komandanti Hodges gjithashtu theksoi se do të largohet i impresionuar nga takimet me të rinjtë e talentuar, duke shtuar se Forcat tokësore të SHBA-ve në Evropë do të mbështesin Akademinë ushtarake të Maqedonisë në zhvillimin e të rinjve që duan të bëhen oficerë apo udhëheqës të këtij vendi.
“Unë jam i impresionuar nga ministri i Mbrojtes dhe oficerët tjerë që takova, nga puna e tyre dhe vendosmëria që Maqedonia të vazhdojë rrugën e saj drejt integrimit euro-atlantik. Mendoj se integrimi i plotë i Maqedonisë në NATO do të përmirësojë sigurinë dhe stabilitetin në Evropë, si dhe do të sigurojë stabilitetin e këtij rajoni”, deklaroi Hodges.
Komandanti Hodges në fund theksoi se ndihet krenar me punën e ekipit dhe ambasadorit amerikan në Maqedoni, që mbetet e përkushtuar për të ndihmuar Maqedoninë në integrimin e saj të plotë në NATO.
Ndërkaq, Shefi i Shtabit të ARM-së, Metodija Veliçkovski, tha se pjesëmarrja e forcave të ARM-së në misionin e fundit ndërkombëtar “ANAKONDA”, si dhe kapacitet dhe arritjet e tyre u vlerësuan së tepërmi nga komandanti Hodges. Kjo sipas tij, dëshmon se Maqedonia është duke ecur në rrugën e duhur dhe një ditë do të marrë vendin që e meriton, partner i barabartë në NATO.
“Ne bashkarisht shprehëm kënaqësi për bashkëpunimin e ushtrive tona dhe e vlerësuam të shkëlqyer. Megjithatë, shpalosëm hapësirë dhe mundësi për bashkëpunimin e mëtejshëm, kryesisht në fushën e edukimit dhe trajnimeve ushtarake, për të cilën presim që mbështetja të vazhdojë edhe në të ardhmen”, deklaroi Veliçkovski.
Komandanti i ushtrisë amerikane vizitën e tij zyrtare e filloi me një takim me ministrin e Mbrojtjes, Zoran Jolevski, ndërsa më pas realizoi takim tet-a-tet edhe me Shefin e Shtabit të Armatës së Republikës së Maqedonisë (ARM), Metodija Veliçkovski, pas së cilës vijoi takimi i delegacioneve të të dy ushtrive.
Tema e bisedimeve ishte pjesëmarrje e Maqedonisë në stërvitjet dhe trajnimet ndërkombëtare të ARM-së në vitin 2017 të mbështetura nga Forcat tokësore të SHBA-ve në Evropë.