SHKUP (AA) - Maqedonia, e cila prej një kohe të gjatë përballet me krizë politike, edhe një herë u bë temë e përfolur pas ngjarjeve që ndodhën ditën e djeshme me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, shkruan Anadolu Agency (AA).
Edhe pse me ndërmjetësim të BE-së ishte arritur marrëveshje për të shkuar në zgjedhje të parakohshme për t'i dhënë fund krizës politike, zgjedhjet që u mbajtën më 11 dhjetor nuk krijuan zgjidhje. Fakti që asnjë parti nuk arriti shumicën për të formuar qeverinë e vetme, ishte lajmëtar i krizës së re.
Në Kuvendin me 120 ulëse, VMRO-DPMNE-ja arriti të sigurojë 51 ulëse, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM) 49, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) 10, Lëvizja BESA 5, Aleanca për Shqiptarët 3 dhe Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) 2 ulëse.
Presidenti i shtetit Gjorge Ivanov fillimisht i dha mandatin kreut të VMRO-DPMNE-së Nikola Gruevski, i cili nuk arriti të formojë qeverinë në afatin e paraparë ligjor.
Mosmarrëveshja e Gruevskit me partitë shqiptare, hapi rrugën e LSDM-së për formimin e qeverisë. Zaev, u dakordua për formimin e qeverisë me tre partitë shqiptare të përfaqësura në Parlament që nënshkruan deklaratën e përbashkët. Edhe Zaev i paraqiti Ivanovit nënshkrimet e deputetëve si dëshmi se ka arritur shumicën parlamentare, por Ivanov nuk ia dha mandatin për të formuar qeverinë.
Mosdhënia e mandatit Zaevit për të formuar qeverinë, thelloi edhe më shumë krizën politike. Ivanov mbronte qëndrimin se platforma e përbashkët e partive shqiptare është "e importuar" dhe në kundërshtim me kushtetutën, ndërkohë që nga VMRO-DPMNE filluan të kërkojnë zgjedhje të reja të parakohshme.
Nga ana tjetër, marrëveshja e Zaevit me partitë shqiptare të cilat parashtruan kërkesa për disa të drejta, përfshirë edhe pranimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në tërë territorin e Maqedonisë, u protestua me ditë nga simpatizantë të VMRO-DPMNE-së.
Deputetët u mblodhën në Kuvend në seancën konstituive për të zgjedhur kryetarin e tij, por votimi i tij nuk arrihej për shkak të debateve të deputetëve të VMRO-DPMNE-së. Megjithatë, mbrëmë në Kuvend ndodhi ngritje e tensioneve.
Në seancën në Kuvend, partitë politike të shumicës parlamentare të kryesuara nga LSDM u ngritën në këmbë për të kërkuar kalimin në pikën e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit. Deputetët reaguan ndaj deputetëve të VMRO-DPMNE-së të cilët përpiqeshin të pengonin zgjedhjen e kryetarit, duke kërkuar nga ta që të braktisin Kuvendin dhe duke pohuar se edhe pa ta kanë shumicën dhe në këtë mënyrë mund të zgjedhin kryetarin.
Ndërkaq, deputetët e VMRO-DPMNE-së theksuan se ky hap është në kundërshtim me ligjet, duke u ngritur në këmbë për ta interpretuar himnin e Maqedonisë. Menjëherë pas kësaj, deputeti i Lëvizjes BESA, Zeqirija Ibrahimi doli në foltoren e Kuvendit dhe këndoi himnin shqiptar.
Pas ngritjes së tensioneve, u theksua se seanca shtyhet për ditën e nesërme (sot).
Edhe krahas shtyrjes së seancës, shumica parlamentare zgjodhi Talat Xhaferin nga radhët e BDI-së si kryetar të ri të Kuvendit.
Me shpalljen e Xhaferit - ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) dhe ish-ministër i Mbrojtjes - për kryetar të ri të Kuvendit, simpatizantët e VMRO-DPMNE-së u mblodhën para Kuvendit dhe filluan të protestojnë.
Teksa protestat vazhdonin, një grup i maskuar u pa duke hyrë në Kuvend. Grupi i maskuar, sulmoi dhe lëndoi dhe mori peng për një kohë të gjatë shumë deputetë, në mesin e të cilëve ndodhej edhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev. Në mesin e atyre që mbetën të prekur nga dhuna ishte deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, teksa edhe deputetja e LSDM-së Radmila Shekerinska ishte në mesin e deputetëve të sulmuar.
Sipas deklaratës së Ministrisë së Punëve të Brendshme, gjithsej 100 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore nga siptalet, përfshirë tre deputetë dhe 22 policë.
Kuvendi u zbraz tërësisht pas një pritjeje prej afërsisht gjashtë orësh, ndërsa kohë pas kohe jashtë Kuvendit u dëgjuan shok bomba.
Në ndërkohë, edhe kameramani i AA-së, Vedat Abdul, u mbajt peng në një dhomë të Kuvendit dhe u lirua pas gjashtë orësh. Ai theksoi se persona të armatosur i kishin mbyllur në një dhomë dhe u ishin kërcënuar me vdekje në rast se do të tentonin të dilnin. Abdul tregoi se më vonë është hipur në një automjet nga forcat e sigurisë, kurse më pas është liruar.
Reagimet ndërkombëtare
Ndaj incidenteve në Maqedoni reaguan OKB, NATO, BE, si dhe shtetet fqinje si Kosova dhe Serbia.
Në lidhje me zhvillimet, OKB-ja e cilësoi si të papranueshme dhunën ndaj institucioneve demokratike dhe përfaqësuesit e zgjedhur të popullit.
Zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Stephane Dujarric, përmes një deklarate me shkrim, tha se janë dukje ndjekur me një shqetësim shumë të madh ngjarjet që po ndodhin në Parlamentin e Maqedonisë.
Nga ana tjetër, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, theksoi se është i tronditur nga sulmet në Kuvend, duke shtuar se "Të gjitha partitë duhet të respektojnë proceset demokratikë dhe të përdorin dialogun dhe jo dhunën".
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Marrëdhënie të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, dhe Komisioneri Evropian për Zgjerim, Johannes Hahn, përmes një deklarate të përbashkët theksuan se "Aktet e dhunës në Kuvend janë absolutisht të papranueshme", duke bërë thirrje për maturi.
Ministria e Jashtme e Kosovës përmes një deklarate po ashtu theksoi se kanë ndjekur nga afër zhvillimet dhe se sulmet ndaj përfaqësuesve të zgjedhur janë të papranueshme.
Në ndërkohë, me rastin e incidenteve në Kuvendin e Maqedonisë, kryeministri serb Aleksandar Vuçiç, thirri në mbledhje emergjente Zyrën për Koordinim të Shërbimit të Sigurisë. Në një deklaratë për agjencinë e lajmeve Tanjug, Vuçiç theksoi se nuk bëhet fjalë vetëm për problem të Maqedonisë, por për të gjithë qytetarët që jetojnë në këto hapësira.
Pas ndodhive të mbrëmshme, presidenti i Maqedonisë Ivanov mbajti konferencë për media, ku i ftoi liderët e partive politike në mbledhje.
Duke i bërë thirrje qytetarëve në qetësi, Ivanov tha: Ju "ftoj të jeni të qetë, të mos bini pre e provokimeve të ndryshme, lajmeve të rrejshme dhe manipulimeve. Ftoj në qetësim të tensioneve dhe në jodhunë. Ftoj për sjellje të arsyeshme dhe të përgjegjshme".
Ai në fjalimin e tij tha se deputetët janë më përgjegjësit për kthimin e gjendjes në pajtim me Kushtetutën, duke shtuar se "Askush nuk mund të zgjidhë problemet tona nga jashtë, nëse nuk i zgjidhim vetë".
news_share_descriptionsubscription_contact
