Nazmi Abduramani
01 Qershor 2016•Përditësim: 01 Qershor 2016
SHKUP (AA) - Njëzet vjetori nga formimi i Procesit për Bashkëpunim në Evropën Juglindore (SEECP) u shënuan sot në Sofje me Samitin e shefave të shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të nismës në të cilën mori pjesë presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, transmeton Anadolu Agency (AA).
Samiti, i quajtur “SEECP - 20 vite çelës drejt bashkëpunimit rajonal” në fakt është ngjarja e fundit që organizohet në kuadër të kryesimit bullgar me SEECP-në, të cilën prej sot e merr Kroacia.
Në njoftimin nga Presidenca e Maqedonisë thuhet se presidenti Ivanov deklaroi se porosia kryesore nga jubileu i themelimit të SEECP-së u dërgohet të rinjve në rajon se pritjet e tyre mund t’i realizojnë në rajon.
Anëtaret e SEECP-së janë 13 shtete të rajonit, që në numra do të thotë rreth 150 milionë banorë. “Me vet atë se ky Samit mbahet në një park inovativ (Sofia The Park) dërgohet porosia deri tek të rinjtë se pritjet e tyre mund t’i realizojnë edhe këtu, e jo të shkojnë dhe njohuritë e tyre t’i bartin në vendet e zhvilluara. Ky është një fillim simbolik dhe ristartim të një procesi, i cili është shumë më pragmatik dhe i drejtpërdrejtë sepse merret me çështje si infrastruktura, energjia, lidhja e ndërsjellë, projekte nga të cilat ka dobi gjithë rajoni”, tha Ivanov.
Ky proces, siç shtoi presidenti i Maqedonisë, solli deri te dialogu dhe pajtimi mes shteteve, kthimin e besimit dhe komunikimi i të gjithve që jetojnë në rajon. Presidenti Ivanov në fjalimin e tij në Samitin, siç informon Kabineti i tij, ka riafrimuar pozitën e Maqedonisë se edhe më tej mbetet partner aktiv dhe konstruktiv në rrethimin rajonal dhe se është fuqishëm e përkushtuar në promovimin e parimeve të fqinjësisë së mirë dhe pajtimit në rajon.
Maqedonia angazhohet për bashkëpunim të thelluar rajonal, lidhjen e rajonit përmes zhvillimit dhe modernizimit të infrastrukturës që do të nxiste zhvillim të rritur ekonomik, tregti dhe tërheqje të investimeve të huaja. Në hapjen, nikoqiri i Samitit presidenti bullgar Rosen Plevneliev, theksoi se rruga e vetme drejt paqes dhe prosperitetit në rajon është rruga e bashkëpunimit, partneritetit, sundimit të ligjit, të drejtat dhe liritë e njeriut.
Evropa sot, sipas presidentit bullgar, përballet me numër rekord të krizave, të cilat kanë ndikim të fuqishëm mbi rajonin tonë, dhe theksoi se vetëm së bashku mund të gjenden zgjidhje të drejta.
“Rajoni ynë është faktor i pashmangshëm i skenës gjeopolitike, ndërsa vendet e rajonit janë më të fuqishëm, më konkurent, më atraktiv për investitorët dhe mund të sigurojnë paqe dhe prosperitet për popujt e tyre”, tha Plevneliev.
Në Samit marrin pjesë presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ai i Kosovës Hashim Thaçi, presidenti i Moldavisë, Nicolae Timofti, kryesuesi i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Bakir Izetbegoviq, presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, kryeministri i Rumanisë, Daçian Çiolosh, zëvendëskryeministri i Sllovenisë, Karl Erjavec, sekretari i përgjithshëm i OSBE-së, Lamberto Zanier dhe sekretari i përgjithshëm i Këshillit për bashkëpunim rajonal, Goran Svilanoviq.
Në fund të samitit do të miratohet edhe deklarata jubilare, që pasqyron arritjen e SEECP-së gjatë dy dekadave të fundit dhe vëmendje e veçantë në të do t’i kushtohet edhe veprimeve të përbashkëta për zhvillim e ardhshëm të Evropës Juglindore.