Bekim Laci
23 Shtator 2015•Përditësim: 23 Shtator 2015
SHKUP (AA) - President i Republikës së Maqedonisë,Gjorgje Ivanov, ka pritur sot në një takim ministrin për Punë të Jashtme të Bosnje e Hercegovinës, Igor Crnadak, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në vend, njoftojnë nga kabineti i Presidentit, raporton Anadolu Agency (AA).
Siç thuhet në njoftimin zyrtar, në takim është biseduar për marrëdhëniet e mira tradicionale mes Republikës së Maqedonisë dhe Bosnje e Hercegovinës, për bashkëpunimin rajonal si dhe për aspiratat e përbashkëta për integrime euro-atlantike. Lidhur me bashkëpunimin ekonomik, bashkëbiseduesit kanë konstatuar se i njëjti ngec prapa bashkëpunimit politik, dhe se nuk korrespondon me mundësitë dhe kapacitetet reale të të dyja ekonomive, ndërsa kanë shprehur interesim të përbashkët për thellim të të njëjtit.
Presidenti Ivanov dhe ministri Crnadak janë pajtuar se integrimi i shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe NATO është i nevojshëm jo vetëm nga shkaku i bashkëpunimit të rritur të shteteve të rajonit, por shkaku i përkrahjes së madhe të cilën e kanë proceset reformuese në shoqëritë e dy vendeve, prandaj duhet të përshpejtohen.
Republika e Maqedonisë tha Ivanov, është e gatshme për bashkëpunim më të afërt mes të dyja vendeve në kontekst të procesit paraqasës me BE-në.
Në takim janë shkëmbyer mendime dhe informacione për sfidat momentale që lidhen me krizën me refugjatë.