Bekim Laci
04 Maj 2016•Përditësim: 04 Maj 2016
SHKUP (AA) – Avancimi i bashkëpunimit mes Maqedonisë dhe Hungarisë, intensifikimi i trajnimeve dhe stërvitjeve të përbashkëta të pjesëtarëve të të dyja armatave, anëtarësimi i Maqedonisë në NATO dhe kriza me emigrantët ishin temat kryesore nga takimi i ministrit të Mbrojtjes, Zoran Jolevski me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Sigurisë së Hungarisë, Timor Benko i cili po qëndron në një vizitë zyrtare në Maqedoni, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Republika e Maqedonisë te Hungaria shikon një mik të sinqertë dhe përkrahës, veçanërisht në pjesën e përmbushjes së qëllimeve strategjike të shtetit, siç janë anëtarësimi në NATO dhe Bashkimin Evropian”, theksoi Jolevski.
Ministri Jolevski ka shprehur kënaqësinë e tij nga bashkëpunimi dypalësh në sferën e mbrojtjes që parashikon takime intensive në nivel më të lartë.
Në raport me krizën me emigrantët ministri ka shprehur falënderimin për përkrahjen që Hungaria i ofron Maqedonisë, njëkohësisht duke thënë se vendi është i gatshëm të zbatojë strategjinë gjithëpërfshirëse për koordinim të cilën e vlerëson si të vetmen dalje nga kriza që ka përfshirë kontinentin.
Gjenerali Benko theksoi se Hungaria dhe forcat e saj të armatosura janë të gatshme për thellimin e bashkëpunimit mes të dyja armatave. "Ne i jemi mirënjohës Maqedonisë, armatës së Maqedonisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes për gjithçka që kanë bërë deri më tani, duke përfshirë edhe trajtimin për krizën me emigrantët. Ne do të vazhdojmë të jemi mbështetës të sinqertë të ushtrisë si dhe Republikës së Maqedonisë në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në NATO”, tha Benko për të shtuar se për Hungarinë është shumë me rëndësi stabiliteti i Ballkanit Perëndimor.