Bekim Buci
08 Prill 2016•Përditësim: 09 Prill 2016
SHKUP (AA) - Komandanti i Forcave Tokësore të Forcave të Armatosura të Turqisë, gjenerali Salih Zeki Çollak, i cili po qëndron në një vizitë dy-ditore në Maqedoni sot u takua me ministrin e Mbrojtjes të Maqedonisë, Zoran Jolevski dhe shefin e Shtabit të Armatës të Republikës së Maqedonisë (ARM) Metodija Veliçkovski, raporton Anadolu Agency (AA).
"Në takim u diskutua për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të shkëlqyer midis forcave tokësore, trajnimin dhe edukimin e personelit ushtarak dhe civil, si dhe për gjendjen me emigrantët dhe krizën që përfshiu Lindjen e Mesme", thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes të Maqedonisë.
"Maqedonia dhe Turqia kanë një bashkëpunim të lartë në nivel të mbrojtjes që duhet të jetë shembull se si të bashkëpunojnë në të gjitha fushat, si dhe nevojën për të zhvilluar marrëdhëniet midis rajonit dhe më gjerë", theksoi ministri Jolevski. Me këtë rast ai konfirmoi bashkëpunimin e lartë dhe shprehu kënaqësinë për kontaktet intensive me zyrtarët turq, si një pasqyrim i partneritetit strategjik midis Maqedonisë dhe Turqisë.
Ministri Jolevski shprehu mirënjohjen për mbështetjen e pakushtëzuar të Republikës së Turqisë, në fushën e mbrojtjes, sidomos në procesin e integrimit në Aleancën e Atlantikut të Veriut.
Gjatë bisedës me gjeneralin Çollak, ministri Jolevski shtoi se dy ushtritë bashkëpunojnë në mënyrë të shkëlqyer dhe vuri në dukje pjesëmarrjen e përbashkët në misionin "Mbështetja vendimtare" ku Ushtria maqedonase kontribuon me 12 oficerë të stafit dhe një rreshter në Shtabin e Komandës për trajnim, këshillim dhe ndihma në Kabul në kuadër të forcave të armatosura turke.
Jolevski në fund edhe një herë e falënderoi Turqinë për mbështetjen e përgjithshme, në veçanti mbështetjen e iniciativës së vendit për të transferuar komandën e SEEBRIG në Maqedoni.
Gjenerali Çollak, vuri në dukje se Turqia gjithmonë do ta mbështesë Maqedoninë në arritjen e qëllimeve të saj strategjike, anëtarësimin në NATO dhe BE dhe shtoi se ata dëshirojnë që Maqedonia të bëhet një vend i fortë në hapësirën e Ballkanit.
Me këtë rast ai shtoi se gjatë bisedimeve me gjeneralin Veliçkovski është diskutuar për marrëdhëniet e mira ndërmjet ushtrive dhe zhvillimin e tyre të mëtejshëm. Ai tha se ishte shumë i kënaqur nga personeli ushtarak dhe civil i cili vjen për trajnim në Turqi, duke shtuar se arsimi është thelbësor për zhvillimin e institucioneve apo shteteve.