Bekim Laci
14 Dhjetor 2015•Përditësim: 15 Dhjetor 2015
SHKUP (AA)- Komisioni Anketues i Parlamentit të Republikës së Maqedonisë në orën 12:00 filloi seancën me të vetmen pikë të rendit të ditës, dëgjimin e dëshmitarit, kryeministrin e Maqedonisë Nikolla Gruevski, Raporton Anadolu Agency.
Pas polemikave gjashtëdhjetë minutëshe të anëtarëve të komisionit rreth mënyrës së dhënies së dëshmisë nga ana e kryeministrit Gruevski, u kërkua pushim në mënyrë që anëtarët e komisionit të harmonizojnë qëndrimet.
Edhe pse kryeministri Gruevski u shfaq te dera e Komisionit Anketues, ku dhe kishte vendin e rezervuar, ai nuk hyri brenda pasi siç tha anëtari i VMRO-së, Antonio Milloshovski, kryeministri më herët kishte dërguar një shkresë nëpërmjet të cilës kishte kërkuar që dëshminë ta jepë pa prezencë të mediave në një seancë të mbyllur në të cilën do t'mund të merrnin pjesë vetëm personat që posedojnë çertifikatë të sigurisë.
"Në përputhje me vendimin për themelimin e Komisionit Anketues, neni 4 paragrafi 4 këtë të drejtë duhet ti ja realizojmë secilit i cili do të kërkojë një gjë të tillë, në mënyrë që të marim përgjigjet" tha Milloshovski
Kryetari i Komisionit, Petre Shillegov, nga ana e tij insistonte që fillimisht kryemisistri Gruevski të ulet në vendin e dëshmitarit, të konstatohet prezenca e tij në mënyrë që të realizohet kërkesa.
"Kërkoj që kryeministri Gruevski të vijë në mënyrë që të konstatohet prezenca e tij për të realizuar kërkesën e tij. Kushtet do të krijohen, por fillimisht ai duhet të vijë dhe të konstatojmë se ka dërguar kërkesë sepse një gjë të tillë nuk mund të ja mundësoj karriges boshe" tha kryetari i Komisionit, Petre Shilegov.
Komisioni anketues në Parlamentin e Maqedonisë u formua në pajtim me Marrëveshjen politike të “Përzhinës” dhe synon zbardhjen e aferave “Puç” dhe përgjimet e paligjshme në vend.
Komisioni anketues përbëhet nga 16 anëtarë, tetë nga partia në pushtet VMRO-DPMNE-ja, tre nga LSDM-ja opozitare, dy nga BDI-ja dhe nga një nga partitë opozitare Partia e Re Social Demokrate (PRSD) dhe Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) si dhe një deputet i pavarur.