Bekim Laci
16 Dhjetor 2015•Përditësim: 17 Dhjetor 2015
SHKUP (AA)- Komisioni Anketues në Parlamentin e Maqedonisë i formuar për zbardhjen e afërës së përgjimeve, sot formoi dy grupe të punës të cilat duhet të marrin informacione nga institucionet dhe kompanitë e vendit të cilat në mënyra të ndryshme mund të kenë lidhje me përgjimet telefonike, raporton Anadolu Agency (AA).
Grupet e punës informacionet e marra do të duhet ti paraqesin në raportet të cilat duhet ti përpilojnë. Grupi i parë, ka për detyrë të vizitojë institucionet të cilat posedojne pajisje teknike me të cilën mund të përgjohet, për çka do të vizitohen edhe operatorët celularë.
Grupi i dytë do të vizitojë prokuroritë dhe gjykatat.
“Institucionet të cilat do të vizitohen duhet që deri të hënën të njoftojnë komisionin se cili termin mes datave 22 dhe 24 dhjetor u konvenon si termin për vizitë nga ana e Komisionit”, deklaroi kryetari i Komisionit Anketues, Petre Shillegov.
Të enjten, komisioni do të marrë në pyetje zëvendëskryeministrin e Financave, Zoran Stavrevski.
Rikujtojmë se Komisioni anketues në Parlamentin e Maqedonisë u formua në pajtim me Marrëveshjen politike të “Përzhinës” dhe synon zbardhjen e aferave “Puç” dhe përgjimet e paligjshme në vend.
Komisioni anketues përbëhet nga 16 anëtarë, tetë nga partia në pushtet VMRO-DPMNE-ja, tre nga LSDM-ja opozitare, dy nga BDI-ja dhe nga një nga partitë opozitare Partia e Re Social Demokrate (PRSD) dhe Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) si dhe një deputet i pavarur.