Agon Fehmiu
15 Dhjetor 2015•Përditësim: 15 Dhjetor 2015
PRISHTINË (AA) – Në orët e vonshme të së hënës, me rastin e daljes nga Kuvendi i Kosovës, janë arrestuar edhe 5 deputetë të partive politike opozitare, bazuar në urdhër arrestimet e lëshuara për ta, raporton Anadolu Agency (AA).
Policia ka arrestuar Glauk Konjufcën, Aida Dërgutin dhe Besa Baftiun për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës, kurse dy deputetët tjetë të Vetëvendosjes, Fisnik Ismajli dhe Faton Topalli u ndaluan për shkak të mosrespektimit të masës së arrestit shtëpiak dhe paraqitjes në publik, gjegjësisht, seancën e djeshme të Kuvendit të Kosovës
“Mbrëmë rreth orës 22:50, pas daljes nga objekti i Kuvendit të RKS-se me urdhër të prokurorit kompetent janë ndaluar deputetët Topalli dhe Ismaili, për mosrespektim të urdhër arrestit shtëpiak, si dhe deputetët Konjufca, Dërguti dhe Baftija nën dyshimin e bazuar për hedhje te mjetit të dyshuar gaz lotsjellës. Të gjithë personat e ndaluar janë shoqëruar në stacion policor për procedura të mëtutjeshme ligjore. Të gjitha veprimet do të ndërmerren në konsultim dhe koordinim me prokurorin kompetent”, thuhet në komunikatën për media të lëshuar nga Policia e Kosovës, lidhur me arrestimet në orët e vona të hënës mbrëma.
Gjatë ditës së djeshme, policia kishte ndaluar Ismail Kurteshin e VV-së për shkak të mosrespektimit të arrestit shtëpiak dhe pjesëmarrjes së tij në protestën e opozitës, të organizuar të shtëunën në Gjilan, si dhe deputetin e AAK-së, Pal Lekajn, për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, gjatë seancës së paradites.
Pasditen e së hënës rreth orës 18:00, deputetet Time Kadrjiaj dhe Teuta Haxhiu po ashtu ishin arrestuar nga policia, me urdhër të prokurorit kompetent, me dyshim se kanë hedhur gaz lotsjellës në sallën ku po mbahej seanca.
Shikuar në përgjithësi, numri i deputetëve të opozitës që janë nën masa të ndryshme të ndalimit, qoftë paraburgim 30 ditor, arrest shëpiak apo ndalesë 48 orëshe, sot është ngritur në 11 apo më shumë se 1/3 e numrit të përgjithshëm të deputetëve opozitar, sa numëron Kuvendi i Kosovës.
Përveç të burgosurve të përmendur, aktualisht Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu janë në maës të paraburgimit prej 30 ditëve, kurse Haxhi Shala dhe Donika Kadaj Bujupi janë në arrest shtëpiak.