Agon Fehmiu
22 Shtator 2015•Përditësim: 22 Shtator 2015
PRISHTINË (AA) – Vazhdimi i seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, të ndërprerë paradite kur kryeministri Mustafa ishte qëlluar me vezë nga deputetët e opozitës, përsëri është bllokuar, raporton Anadolu Agency (AA).
Kësaj here, deputetët e opozitës janë afruar tek kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli dhe kanë bllokuar foltoren ku duhet të flas kryeministri Mustafa për të raportuar para deputetëve të Kuvendit të Kosovës lidhur me marrëveshjet e arritura me Serbinë, në Bruksel, më 25 gusht.
Seanca e parashikuar të fillojë në orën 14:00, vazhdoi me vonesë prej gjysmë ore por, menjëherë u ndërpre pasi që deputetët e Vetëvendosjes, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA-së janë ngritur nga vendet dhe u pozicionuan tek foltorja dhe vendi i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
Pas pushimit të parë prej 10 minutave, të dhënë nga kryeparlamentari Veseli dhe thirrja e tij drejtuar deputetëve të opozitës, duke e parë këmbënguljen e tyre për të mos lejuar kryeministrin të flas por duke insistuar që ai të tërheq nënshkrimin nga marrëveshja me Serbinë, Veseli ishte i detyruar që edhe një herë ta shtyjë seancën për 30 minuta të tjera.
Me këtë rast, kryeparlamentari Veseli iu drejtua deputetëve të opozitës që t’i japin rast debatit në parlament dhe të dëgjojnë se çfarë ka për të thënë kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në mënyrë që pastaj të debatohet me argumente dhe deri sa është nevoja.
“Liderët të bashkëbisedojnë dhe të shikojnë mundësi për të vazhduar bashkërisht këtë seancë. Jepni mundësi njerëzve, mundësi që të dëgjojnë se çfarë është nënshkruar dhe ata le të gjykojnë se për çka bëhet fjalë”, ishin fjalët e kryeparlamentarit Veseli i cili dha pushim prej 30 minutash.