Sibel Vezaj
26 Shtator 2016•Përditësim: 27 Shtator 2016
PRISHTINË (AA) - Grupi i studentëve “Demokracia Studentore”, të cilët sot ndërmorrën një protestë simbolike në kampusin e Universitetit të Prishtinës reaguan pas heqjes së pankartës të vendosur nga ata në murin e objektit të kishës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Duke konsideruar se ajo është hequr nga një serb i Beogradit, grupi “Demokracia Studentore”, në një komunikatë ka bërë të ditur se kjo është një nxitje për të reaguar në mënyra të dhunshme.
Ata kërkojnë nga institucionet qendrore dhe ndërkombëtare që të ndalohet punimi në këtë kishë, duke theksuar se përndryshe do të reagojnë edhe me protesta të dhunshme.
Ndërkaq, zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti, për AA bëri të ditur se kjo pankartë është larguar nga një anëtar i policisë, i cili ishte me veshje civile.
Duke vënë në dukje se Policia e Kosovës është në shërbim të të gjithë qytetarëve, Ahmeti theksoi se anëtarët e Policisë nuk penguan protestën e grupit të studentëve, por që e panë të arsyeshme se ajo pankartë dhe fotografitë e viktimave, të cilat gjenden në pankartë, nuk duhet të jenë aty.
Ajo shtoi se e tërë kjo ka ndodhur për arsye që të mos ketë probleme të mëtutjeshme.
Në pankartën e vendosur sot në murin e objektit të kishës shkruante “Kërkojmë që objekti i vendosur me dhunë nga Millosheviçi në kampusin universitar të shndërrohet në muze dhe të prezantohen masakrat dhe gjenocidi që ka kryer Serbia në Kosovë”, ku ishin të vendosura edhe pamjet nga masakrat e serbëve ndaj shqiptarëve në luftën e fundit.