Agon Fehmiu
23 Shkurt 2016•Përditësim: 24 Shkurt 2016
PRISHTINË (AA) – Kundërshtimi i tri partive të opozitës së bashkuar parlamentare, nga sot po merr formë të re, përmes protestës së vazhdueshme 24 orë, çdo ditë, siç deklaruan liderët e tri subjekteve opozitare, gjatë konferencës së mbajtur para Kuvendit të Kosovës, me rastin e fillimit të ngritjes së tendave ku do të qëndrojnë, ditë e natë, raporton Anadolu Agency (AA).
Liderët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismës për Kosovën (Nisma), theksuan se kjo formë e re e protestës po bëhet për të pamundësuar vazhdimin e qeverisjes nga koalicioni aktual dhe për të kundërshtuar mbajtjen e seancës për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, ku kandidat i vetëm është lideri i Partisë Demokratike, Hashim Thaçi.
“Sot fillon një etap e re e kundërshtimit opozitar dhe jo vetëm opozitar por edhe qytetarë kundër rejgimit Mustafa-Thaçi i cili me forcë ka insistuar ose ka provuar me i zbatuar marrëveshjet e kundërshtuara nga opozita, i cili nuk ka reflektuar në shkeljen e Kushtetutës, pra nuk ka dhënë dorëheqje i cili ka injoruar dhe me atë arrogancë, edhe zërin e atyre që kanë nënshkruar peticionin dhe dhjetëra mijëra, më shumë se 100 mijë qytetarëve në këtë shesh. Pra, nga sot, fillon një etapë e re e kundërshtimit të vazhdueshëm, të përhershëm, këtu në shesh”, tha Ramush Haradinaj.
Lideri i AAK-së shtoi se për organizimin e kësaj mënyre të re të kundërshtimit opozitar janë marrë të gjitha lejet e duhura nga Komuna e Prishtinës.
“Kjo është leja nga Komuna, këtu kemi skicën çka përmban infrastruktura për protestën. Kemi përmbushur të gjitha procedurat për aktivitetin në vijim”, tha Haradinaj duke ritheksuar se organizatorët i kanë përmbushur të gjitha obligimet në përputhje me të drejtat e tyre si qytetarë, taksapagues dhe si subjekte politike opozitare.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri u shpreh se nga ora 2 e pasdites së sotme fillon protesta e vazhdueshme kundër, siç e quajti ai, regjimit antikushtetues dhe anti Republikë, dhe do të vazhdojë deri në momentin e largimit të kësaj qeverie.
“Kjo që do ta ndërtojmë këtu në shesh, do të jetë infrastrukturë e protestës dhe do të shërbej për kundërshtimin tonë, veçanërisht më 27 shkurt, kur e kemi protestën tonë të përbashkët dhe veçanërisht në seancën kur ky pushtet, ky 'Koalicion i Rashkës' mëton ta kontrabandojë dhe ta kap majën e shtetit, përmes zgjedhjes së presidentit e cila nuk do të lejohet”, tha Ymeri.
Ai shpjegoi se fillimisht do të ndërtohen katër tenda të mëdha nga organizatorët, por ka paralajmëruar se kundërshtimit të vazhdueshëm të opozitës së bashkuar do t’i bashkohen edhe individ të cilët do të sjellin tendat e tyre personale, për t'u solidarizuar me protestën e opozitës.
Ymeri tregoi se pranë tendës së vendosur para Kuvendit, do të jetë e vendosur edhe bina me zërim prej nga të pranishmëve do t’iu drejtohen përfaqësuesit e shoqërisë civile që e përkrahin protestën e opozitës kundër pushtetit aktual. Po ashtu, sipas liderit të LVV-së, gjatë tërë kohës do të lëshohen edhe filma, muzikë dhe do të ketë mënyra interesante të kundërshtimit të koalicionit të qeverisjes aktuale.
Me këtë rast, Fatmir Limaj, lideri i Nismës për Kosovën i bëri thirrje të gjithë qytetarët, pa dallim partiak, t’i bashkohen kundërshtimit të përhershëm, 24 orë në ditë, çdo ditë, deri në largimin e pushtetit aktual.
“Kjo është rruga të cilën po e ndjek opozita e bashkuar me shoqërinë civile dhe qytetarët, për kalimin në një fazë tjetër. Jeni dëshmitar që ky regjim, jo që nuk po reflekton por po vazhdon me shtypje , me dhunim, me burgosje dhe me ngrehje zvarrë të deputetëve të opozitës nga parlamenti dhe përjashtimi i tyre, prandaj ne sot po kalojmë në këtë fazë të një kundërshtimi të përhershëm dhe qytetërues, duke qëndruar në shesh, në shenjë proteste deri në largimin e këtij regjimi anti Kushtetues”, tha Limaj.
Pas konferencës për mediat, në shesh janë parë tek po hynë kompanitë për vendosjen e tendave, ndërsa të pranishëm ishin disa qindra aktivistë dhe anëtarë të partive opozitare, si dhe qytetarë.
Gjatë ngritjes së tendës së parë e cila zgjati rreth 30 minuta, Kuvendi i Kosovës ishte i ruajtur nga njësitet e Policisë së Kosovës, të cilat kishin dalë para gardhit të oborrit të Kuvendit. Ndërkaq, forcat shtesë policore janë parë dhe në pjesët tjera të sheshit Skënderbe, në drejtim të objektit të Qeverisë së Kosovës.