PRISHTINË (AA) – Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GJSP) dhe Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS) sot kanë organizuar tryezë diskutimi me temë “Si ta shndërrojmë MSA-në në një proces për reforma thelbësore në Republikën e Kosovës?”, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas organizatorëve, qëllimi i kësaj tryeze ishte diskutimi mbi rëndësinë që do të ketë Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA) për të ardhmen e Kosovës, si dhe njoftimi me mendimet dhe perspektivën e liderëve politik mbi sfidat me të cilat do të përballet Kosova, pas fillimit të zbatimit të MSA-së.
Folës në tryezën e sotme ishin kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, kryeparlamentari Kadri Veseli, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini dhe kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi dhe kjo e bëri këtë tryezë shumë të veçantë, kur merren parasysh tensionet shumë mujore në mes opozitës dhe partnerëve të koalicionit qeveritar.
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Samuel Zhbogar, fillimisht përshëndeti praninë e përbashkët të liderëve të pozitës dhe opozitës, në një tryezë dhe theksoi se, përkundër arsyeve të shumta që kishin për të mos u ulur sot në këtë tryezë, ata tejkaluan mospajtimet dhe u ulën për të biseduar për të ardhmen e Kosovës.
Sipas tij, ky veprim konfirmon orientimin pro evropian të lidershipit kosovar, qoftë të qeverisë apo opozitës dhe paraqet zotimin e të dyja palëve për Kosovën dhe progresin e saj, ndërsa MSA-në e quajti si mjet të rëndësishëm dhe gur themel i rrugës evropiane të Kosovës.
“Ky dokument ofron mjetet konkrete për rritje ekonomike, krijimin e vendeve të punës, luftimin e korrupsionit, fuqizimin e demokracisë dhe sundimin e ligjit, si dhe ngrit stabilitetin institucional dhe politik. I mbetet Kosovës që të punojë për qytetarët e saj, sa më shumë që e zbaton Kosova këtë marrëveshje, aq më tepër do të përafrohen standardet e saj me ato të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian”, tha Zhbogar dhe shtoi se axhenda evropiane e Kosovës po dëshmohet të jetë faktor i vetëm i unifikimit në vend, gjykuar në ngjarjet e muajve të fundit.
Zhbogar theksoi se vendi ka ndryshuar pozitivisht duke iu falënderuar reformave për sundimin e ligjit prej se ka ardhur në Kosovë para katër viteve. Ai u shpreh se, Kosova e cila ka pasur një të kaluar tejet të hidhur dhe ka një të tashme shumë të vështirë, megjithatë ka një të ardhme të ndritur sepse fuqia kryesore dhe gjeneratori i energjisë së pashtershme të zhvillimit të saj qëndron në popullatën tejet të re, që është garanci për të ardhmen.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, nënshkrimin e MSA-së e quajti si njërin prej momenteve më të rëndësishme pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës sepse me këtë dokument hapet rruga për një proces të reformave thelbësore.
Sipas tij, nënshkrimi dhe ratifikimi në Kuvend i MSA-së, si marrëdhënie e parë kontraktuale me BE-në, do të sjell shumë të mira dhe përfitime për qytetarët e Kosovës, BE-në si dhe më shumë stabilitet dhe integritet në rajonin e Ballkanit.
“Kjo marrëveshje është pjesë e rëndësishme e rrugës së Kosovës për në BE, e cila ofron mundësi shumë të mëdha për reforma të ndryshme në sektorë të ndryshëm. Mirëpo, marrëveshja nënkupton edhe angazhimin e gjithë spektrit politik kosovar, Parlamentit të Kosovës, Qeverisë, institucioneve të drejtësisë, partive politike, shoqërisë civile, bizneseve dhe shoqatave të tyre, si dhe qytetarëve të Kosovës”, tha kryeministri Mustafa.
Kryeparlamentari i Kosovës Kadri Veseli tha se MSA ofron perspektivë për Kosovën, por shtoi se pret që Kosova të ketë liberalizim të vizave. Ai i është drejtuar shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogarit, duke i thënë se Kosova është vendi i vetëm në rajon që nuk lëviz lirshëm dhe e ka pyetur se: çfarë kanë dallim qytetarët e Kosovës nga ata të rajonit apo BE-së që të jenë të izoluar tash e tetë vjet?.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka vlerësuar se politikanët dhe institucionet kosovare e kanë shndërruar në një mit, anëtarësimin e Kosovës në BE, në vend se ta shikojnë në mënyrë reale pozitën e vendit.
Ai po ashtu është shprehur se, shikuar realisht, perspektiva evropiane e Kosovës nuk ekziston pasi që, pesë shtete të BE-së ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe për këtë arsye, Kosova nuk mund të bëhet anëtare e BE-së, përkundër faktit se në opinion vazhdimisht po flitet e kundërta.
Ndërkaq, përfaqësuesi i Aleancës për Ardhëmrinë e Kosovës, Ardian Gjini është shprehur se problemet e Kosovës janë më të thella se sa shihen sepse, sipas tij, Kosova ka bërë gabime në hapa gjatë fillimit të procesit të integrimit të saj në BE.