Ivana Ramadanova
21 Prill 2016•Përditësim: 21 Prill 2016
SHKUP (АА) - Takimi i liderëve politik të Maqedonisë nënshkrues të marrëveshjes politike të qershorit/korrikut me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare që duhej të zhvillohet të premten në Vjenë është anuluar, raporton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësja e Komisionit Evropian Maja Kociançiq të enjten nga Vjena njoftoi se nuk do të ketë bisedime politike të premten.
Lideri i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev në intervistë për AA tha të mërkurën se nuk do të marrë pjesë në bisedime nëse deri të enjten nuk tërhiqet vendimi i presidentit për falje dhe nëse nuk shtyhet data e zgjedhjeve.
Mesazhin e Zaevit, ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian (BE) në Maqedoni ia kumtuan presidentit Ivanov dy ditë më parë duke kërkuar nga ai që të tërheq vendimin për falje i cili rrezikon sundimin e së drejtës.
Zyra e komesarit për Zgjerim, Johanes Hahn mediave të akredituara në Bruksel u ka thënë sot se është anuluar takimi i së premtes, por se mbeten të përkushtuar të ndihmojnë partitë politike të gjejnë zgjidhje për krizën e krijuar.