Fatjon Cuka
27 Dhjetor 2016•Përditësim: 28 Dhjetor 2016
TIRANË (AA) - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Shqipërisë (KQZ) ka zhvilluar sot mbledhjen dhe seancën dëgjimore për deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, Shkëlqim Selami dhe Dashamir Tahiri, si dhe për kreun e bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi, pas kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e mandatit të tyre me pretendimin se kanë shkelur ligjin për "Dekriminalizimin”, raporton Anadolu Agency (AA).
Pas diskutimeve mes anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, përfaqësuesve të partive politike dhe avokatëve të deputetëve, KQZ ka vendosur për shtyrjen e mbledhjes për më 29 dhjetor. Ky institucion ka vendosur që të kërkojë më shumë të dhëna nga prokuroria për këtë çështje, para se të marrë një vendim.
Ndërkohë deputetët Dashamir Tahiri dhe Shkëlqim Selami, si dhe kryetari i bashkisë së Kavajës u mbrojtën gjatë mbledhjes në KQZ nga avokatët e tyre, duke kërkuar që ky institucion të mos marrë parasysh kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme.
Prokuroria e Përgjithshme më 20 dhjetor të këtij viti konfirmoi zyrtarisht nëpërmjet një njoftimi se dy deputetët e Kuvendit të Shqipërisë dhe një kryetari i bashkisë së Kavajës janë në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit, në bazë të ligjit për “Verifikimin e Integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, i njohur ndryshe si ligji për "Dekriminalizimin”.
Prokuroria e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë pretendon se deputetët Selami dhe Tahiri, si dhe Rroshi nuk kanë deklaruar në formularët e vetëdeklarimit dënime dhe ndjekjet penale në disa shtete të Bashkimit Evropian.
Në mbledhjes e radhës që është vendosur për më 29 dhjetor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të marrë një vendim nëse do të pranojë kërkesën e prokurorisë për heqjen e mandateve.