Besar Ademi
17 Gusht 2017•Përditësim: 17 Gusht 2017
SHKUP (AA) – Kuvendi i Republikës së Maqedonisë në vazhdimin e seancës së gjashtë, me 64 vota “pro” dhe asnjë kundër ka votuar për shkarkimin e Prokurorit Publik, Marko Zvrlevski, raporton Anadolu Agency (AA).
Në votimin për shkarkimin e Prokurorit Publik nuk morën pjesë deputetët e opozitës maqedonase, ata të VMRO-DPMNE-së. Ata konsiderojnë se shkarkimi i kryeprokurorit është vendim i paligjshëm.
Seanca e gjashtë për shkarkimin e Prokurorit Publik të Maqedonisë në Dhomën ligjvënëse është debatuar gati një muaj. Deputetët e VMRO-DPMNE-së me replika dhe kundër-replika pamundësonin një gjë të tillë.
Propozimi i qeverisë për shkarkimin e kryeprokurorit u vendos në debat në Kuvend më 12 korrik, ndërsa debati vazhdoi deri dje kur deputetët e VMRO-DPMNE-së u tërhoqën nga debati.