Besar Ademi
22 Dhjetor 2015•Përditësim: 23 Dhjetor 2015
SHKUP (AA) – Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, fjalimin e tij vjetor e ka mbajtur në sallën gjysmë të zbrazur të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë. Fjalimi i presidentit maqedonas, tashmë për herë të dytë bojkotohet nga partia shqiptare në pushtet, BDI, dhe nga opozita maqedonase, LSDM, raporton Anadolu Agency (AA).
Presidenti Ivanov në fjalimin e tij vjetor deklaroi se Republika e Maqedonisë në vitin që po mbyllet është përballur me sfida të mëdha, si në nivel global ashtu edhe brenda vendit. Ai shtoi se gjashtë vitet e fundit vendi është përballur me tri kriza serioze dhe të thella politike. Përgjegjës për këto kriza të shkaktuar, sipas presidentit Ivanov janë dialogu dhe mosmarrëveshjet politike.
“Qytetarët duhet të dinë se rezultatet e çdo krize politike në gjashtë vitet e fundit ishte me iniciativën time. Si president i Maqedonisë, në vitin 2011 dhe në vitin 2012 kam mbledhur udhëheqësit e partive politike në kabinetin tim deri në zgjidhjen e problemeve. Poashtu edhe për krizën e fundit vazhdimisht kam deklaruar se kabineti im është i hapur për takimet e liderëve, por disa liderë politik nuk dëshirojnë të vijnë tek presidenti i Maqedonisë. Për fat të keq, këta edhe sot lanë vendet e tyre të zbrazëta në shtëpinë e demokracisë dhe mbajnë një pjesë të përgjegjësisë për gjendjen në të cilën ndodhet vendi”, deklaroi Ivanov.
Antonio Milloshovski nga partia në pushtet, VMRO-DPMNE, tha se mungesën e partisë shqiptare në pushtet dhe të opozitës maqedonase e vlerësojnë si mungesë të kapacitetit të dialogut politik dhe mungesë të kapaciteteve të kulturës politike para institucioneve shtetërore. Ai shtoi se presidenti Ivanov ka qëndrime të cilat i përfaqëson në vazhdimësi, pavarësisht trazirave të përditshme politike.
“Besoj se pozicionet dhe parimet e tij, jo duke u bazuar në zhvillimet ditore politike, janë tipare të mira për një politikan, i cili duhet të përfaqësojë vendin në emër të të gjithë qytetarëve. Mungesën e LSDM-së dhe BDI-së e vlerësojmë si mungesë të kapacitetit të dialogut politik, si dhe mungesë të kapaciteteve të kulturës politike para institucioneve shtetërore”, deklaroi Milloshovski.
Ermira Memeti nga partia shqiptare në pozitë, BDI, tha se presidenti Ivanov nuk është president legjitim dhe me këtë nuk i përfaqëson të gjithë grupet etnike në vend.
“Grupi parlamentar i Bashkimit Demokratik për Integrim nuk është prezantuar sot në sallën plenare, në të cilën është drejtuar Ivanov, për shkak se qëndrimi politik i kësaj partie është se ai nuk është president legjitim dhe nuk është president konsensual i vendit... si i tillë nuk i përfaqëson të gjithë qytetarët, votuesit dhe të gjitha grupet etnike në Republikën e Maqedonisë”, deklaroi Memeti.
Fjalimi i presidentit maqedonas, Gjorgje Ivanov, është ndjekur vetëm nga deputetët e partisë në pushtet, VMRO-DPMNE, dhe nga disa deputetë të partisë shqiptare në opozitë, PDSH.