Besar Ademi
21 Tetor 2015•Përditësim: 22 Tetor 2015
SHKUP (AA) – Mijëra nxënës të shkollave të mesme, duke filluar nga Parku i Qytetit të Shkupit marshuan në drejtim të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH) kundër modelit të ri të maturës shtetërore dhe testimit ekstern, raporton Anadolu Agency (AA).
Kërkesat e nxënësve të shkollave të mesme mbeten të njëjta si vitin e kaluar, ndryshimin e testimit ekstern dhe pjesëmarrjen aktive në përpilimin e një mature të re shtetërore, e cila do të zbatohen vetëm për gjeneratat e ardhshme.
Përfaqësuesi i Plenumit të shkollave të mesme, Nikola Kërstevski tha se kërkesat e tyre mbeten të njëjta, modeli i vjetër i maturës shtetërore të vlejë për të gjithë nxënësit e shkollave të mesme.
“Kërkesat tona mbeten të njëjta si vitin e kaluar. Ato kërkesa as që u shqyrtuan, e jo më të plotësohen. Pikërisht për këtë shkak jemi mbledhur këtu dhe do të vazhdojmë deri sa zëri ynë të dëgjohet, edhe me masa më radikale, të tilla si vitin e kaluar, bojkotimi i mësimit, kampingu para ministrisë, por mundësitë janë të hapura edhe për ide të tjera më kreative”, deklaroi Kërstevski.
Një tjetër anëtarë i Plenumit të shkollave të mesme, Mila Basarovska, në fjalën e saj para ndërtesës së Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës kërkoi nga ministri që të dëgjojnë zërin e nxënësve dhe të ndryshohet testimi ektern, të cilat sipas saj, do të përmirësojnë arsimin në vend.
“Ne jemi këtu, u kthyem përsëri. Vitin e kaluar ngritëm kampin para kësaj dere dhe porositëm që të korrigjoni gabimet, mirëpo edhe pse kishit kohë tërë verën për t’i përmirësuar, gabimet mbeten të njëjta. Këtë herë jemi më të fortë dhe më të vendosur se kurrë më parë. Nuk pranojmë iden absurde të një koncepti të ri të testimit ektern”, u shpreh Basarovska.