Admir Fazlagikj
27 Maj 2017•Përditësim: 28 Maj 2017
SHKUP (АА) - Prej sot deri më 14 qershor në Maqedoni do të realizohen provimet eksterne të maturës shtetërore në sesionin e qershorit në vitin 2017, për të cilin janë paraqitur gjithsej 16.426 kandidatë, raporton Anadolu Agency (AA).
Dhënia e maturës shtetërore fillon sot në ora 10 me testin e gjuhës amtare dhe të letërsisë. Sipas të dhënave të Qendrës shtetërore për provime, janë paraqitur 10.632 maturantë për gjuhën maqedonase, 5.120 maturantë për gjuhën shqipe dhe 418 maturantë për gjuhën turke.
Më 10 qershor është provimi për gjuhë të huaj. Si edhe viteve të kaluara, numri më i madh (15.201) janë paraqitur për gjuhën angleze, për gjuhën frënge 108, për gjuhën gjermane 197 dhe për gjuhën ruse 26 kandidatë.
Testimi për lëndën e matematikës është më 12 qershor ndërsa janë paraqitur 2.070 maturantë.
Provimi i fundit ekstern i maturës shtetërore do të jepet më 14 qershor - për testin e biologjisë janë paraqitur 3.445, për të kimisë 282, për testin e fizikës 119, për historinë 2.900 kandidatë, për biznes 4.298, filozofisë 3.684 dhe për estetikën 193 kandidatë.
Sipas llojit të arsimit, 8.274 nga numri i përgjithshëm i maturantëve të paraqitur janë me gjimnaz, 7.881 me arsim të mesëm profesional dhe 271 kandidatë të arsimit të mesëm artistik.
Rezultatet fillestare të testeve duhet të publikohen më së voni deri më 14 korrik, gjegjësisht një muaj pas provimit të fundit ekstern (14 qershor).