Bekim Laci
09 Tetor 2015•Përditësim: 09 Tetor 2015
SHKUP (AA)- Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë e autorizuar për ndjekjen e veprave penale të cilat ndërlidhen me përmbajtjet nga ndjekjet të paautorizuara të komunikimeve, ka dorëzuar sot në Këshillin e Prokurorëve publikë, Qeveri dhe në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, planin e përgjithshëm të punës, raporton Anadolu Agency (AA).
"Planet janë dorëzuar për shqyrtim nga Kuvendi, ndërsa në Qeveri dhe te Këshilli i prokurorëve publik janë dorëzuar për implementim. Ashtu siç u tha më herët, pres që Këshilli i prokurorëve publik t'i implementojë planet dhe t'i përzgjedhë prokurorët publik të cilët u propozuan nga unë”, thuhet në komunikatën për shtyp të lëshuar nga Kabineti i prokurores speciale Katica Janeva.
Në njoftim më tej thuhet se planet janë bërë në bazë të analizave të të dhënave për lëndët, pritjet për grumbullim të lëndëve të reja, si dhe nevojat reale për sigurimin e pavarësisë dhe autonomisë në punën e Prokurorisë Publike.
Prokurorja speciale Katica Janeva u zgjodh më 15 shtator 2015 me konsensus të katër partive më të mëdha politike VMRO-DPMNE, LSDM, BDI dhe PDSH.
Sipas ligjit, ajo ka mandat katër vjeçar me mundësi të riemërimit, ndërsa ka për detyrë të procedojë të gjitha materialet nga afera e përgjimeve të cilat i shpalosi opozita maqedonase LSDM, si dhe rastin “Puç”.