Kristina Maslareviç
19 Nëntor 2015•Përditësim: 19 Nëntor 2015
BEOGRAD (AA) - Serbia, Maqedonia dhe Kroacia kanë kufizuar rrjedhjen e refugjatëve nga Lindja e Mesme, ka konfirmuar sot Melita Shunjiç, zëdhënësja e UNHCR-së në Serbi.
Ajo në një prononcim për Anadolu Agency (AA) theksoi se janë tri situata të ndryshme në kufijtë ndërmjet vendeve në fjalë.
"Maqedonia nuk lëshon emigrantët nga Maroku, Shri Lanka, Sudani, Pakistani, Liberia dhe Kongo. Serbia në kufirin e vet nga Maqedonia lëshon vetëm emigrantët nga Siria, Afganistani dhe Irani dhe ata që posedojnë dokumente, ato personale apo dokumente të regjistrimit nga Greqia dhe Maqedonia", shtoi zëdhënësja Shunjiç.
Në kufirin me Serbinë dhe Kroacinë kryhen kontrollet e përbashkëta. Sipas Melita Shunjiç, në Kroaci lejohet, përveç këtyre tri vendeve të përmendura, edhe hyrja e personave nga Palestina.
"Gjatë natës së kaluar, disa emigrantë kanë tentuar të kalojnë 'zonën e gjelbër kufitare' në Kroaci, por janë arrestuar dhe janë kthyer në Serbi", ka thënë Shunjiç.
Ajo shtoi se në "zonën neutrale", ndërmjet Maqedonisë dhe Serbisë, aktualisht ndodhen "rreth njëqind njerëz, të cilëve UNHCR-ja nuk mund t'iu afrohet, përveç për t'iu dhënë batanije, ushqim apo ujë".
E pyetur çka do të ndodhë me këta persona që nuk iu lejohet kalimi i kufirit, zëdhënësja e UNHCR-së tha se çdo vend ka ligjet e veta për azil.
"Të gjithë emigrantët kanë të drejtë për të, prej tyre varet se cilin vend do ta zgjedhin për këtë. Kur të parashtrojnë kërkesën, çdo vend kontrollon kërkesën e tyre dhe vendos nëse do t'iu japë azil apo jo", tha Shunjiç.