Bekim Laci
15 Tetor 2015•Përditësim: 16 Tetor 2015
SHKUP (AA)- Me rastin e shënimit të 20 vjetorit të formimit të marrëdhënieve diplomatike të Republikës së Maqedonisë me shumë vende, Ministria e Punëve të jashtme në bashkëpunim me ambasadorët e atyre shteteve organizoi një ceremoni në “Kurshumli Han” të Shkupit, për të shënuar këtë datë të rëndësishme për diplomacinë e Maqedonisë, raporton Anadolu Agency.
Ministri i Jashtëm, Nikolla Poposki, tha se jo rastësisht është zgjedhur kjo bujtinë e ndërtuar në shekullin e 14-të sepse në të kanë qëndruar tregëtarë dhe udhëtarë të cilët kanë bartur diçka nga njëra, në anën tjetër të botës, ndërsa mysafirëve u tha se, "nëse dikush nga bakathetarët e tyre në të kaluarën ka kaluar në këtë rajon, gjasat janë shumë të mëdha që ai të ketë kaluar natën pikërisht në këtë bujtinë".
“Dëshiroj që simbolika e këtij objekti shumëshekullorë të jetë udhërëfyes për miqësinë dhe bashkëpunimin tonë në të ardhmen. Jemi të lumtur që këtë ngjarje mund ta shënojmë në njërën nga përmendoret më të bukura kulturore në Shkup dhe Maqedoni” deklaroi Poposki.
Në emër të ambasadorëve të huaj në Maqedoni, foli ambasadori i Rumanisë, Justinian Foshka. Ai tha se gjatë 20 viteve të marrëdhënieve diplomatike janë arritur shumë suksese.
“Të gjitha shtetet prezente këtu, kanë marrëdhënie politike dhe bilaterale me Shkupin, ndërsa kontaktet bilaterale ndikojnë në përhapjen e vlerave të përbashkëta. Kjo dmth se në cilësi të diplomatëve kemi bërë detyrën tonë dhe meritojmë të kënaqemi në këtë aheng” tha Foshka.
Njëzet vite më parë Republika e Maqedonisë kishte vendosur marrëdhënie diplomatike me shtetet:SHBA, Australi, Antigua dhe Bermuda, Azerbexhan, Estoni, Greqi, Iran, Indi, Iran, Pakistan Izrael, Kazakstan, Libi, Letoni, Moldavi, Mongoli, Oman, Rumani, Singapur, Arabia Saudite, dhe Ukrainë, si dhe me organizatat: OSBE-në, Këshillin e Evropës, Nato-në dhe Organizatën Botërore të Turizmit.
Përveq pjesmarësve nga shtetet e lartpërmendura, në ceremoninë morën pjesë edhe ambasadori i Shqipërisë në vend, Fatos Reka, i Republikës së Kosovës, Ylber Hysa, i Republikës së Turqisë, Ömür Şölendil.