Fatjon Cuka
10 Dhjetor 2015•Përditësim: 10 Dhjetor 2015
TIRANË (AA) - Gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2015, Shqipëria ka pasur presidencën e radhës të Rrjetit Shëndetësor të Evropës Juglindore (SEEHN). Në kontekstin e Presidencës së Shqipërisë të SEEHN-it, në datat 10-11 dhjetor 2015, po zhvillohet në Tiranë mbledhja e Nivelit të Lartë të Ministrive të Shëndetësisë të SEEHN-it, me temë: “Fuqizimi i sistemeve shëndetësorë për Mbulim Shëndetësor Universal me qëllim përmirësimin e shëndetit dhe mirëqenies, raporton Anadolu Agency (AA).
Në takimin e sotëm merrnin pjesë përfaqësues të lartë të ministrive të shëndetësisë të vendeve anëtare të Rrjetit Shëndetësor të Evropës Juglindore, dhe përfaqësues të Drejtorisë Rajonale për Evropën të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Sipas organizatorëve të takimit kjo mbledhje zhvillohet në kontekstin e rolit të rëndësishëm që po merr Qeveria shqiptare në zhvillimet rajonale si edhe në kuadrin e reformimit të sistemit shëndetësor.
“Mbledhja vlerësoi, gjithashtu, vizionin e Qeverisë shqiptare në reformimin e sistemit shëndetësor dhe kalimin nga adresimi i sëmundjeve, në adresimin e shëndetit. Puna e bërë në zbatim të ndryshimeve të fundit në ligjin anti-duhan, si dhe masat komplekse të ndërmarra nga Qeveria shqiptare, pas rishikimit të ligjit, që lindi si rrjedhojë e situatës problematike të zbatimit të tij, në aspektin më të prekshëm, atë të dobësisë në ndalimin e duhanpirjes në mjedise publike të mbyllura, kanë luajtur një rol të dorës së parë për suksesin në realizimin e objektivit të një Shqipërie pa duhan”- thuhet në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë lidhur me këtë takim.
Mbledhja trajtoi edhe çështje të tjera të bashkëpunimit rajonal, si sinergjia midis rritjes ekonomike dhe shëndetit, përballimi i sfidave dhe rreziqeve të reja për shëndetin, impakti në shëndetin dhe sistemet shëndetësore i flukseve migratore, etj.
Ministri i Shëndetësisë të Shqipërisë, Ilir Beqaj ka shërbyer si president i këtij forumi ndërqeveritar të ministrive të shëndetësisë të Evropës Juglindore, i cili është themeluar në vitin 2001, në kuadrin e Iniciativës për Kohezion Social të Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore. SEEHN përbëhet aktualisht nga 9 anëtarë: Shqipëria, Maqedonia, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Izraeli, Mali i Zi, Moldavia, Rumania, Serbia.