Nazmi Abduramani
16 nëntor 2016•Përditësim: 16 nëntor 2016
SHKUP (AA) – Ministri i Mbrojtjes së Maqedonisë Zoran Jolevski, i cili ndodhet për vizitë pune në SHBA, zhvilloi takim me Piter Due, drejtor për Azinë, Lindjen e Afërt, Evropën dhe për Amerikën Latine në Departamentin e Kombeve të Bashkuara për Operacione Paqesore, transmeton Anadolu Agency (AA)
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Maqedonisë, në takim është biseduar për planet e ardhshme për pjesëmarrje të pjesëtarëve të ARM-së në operacionet paqësore të organizatës botërore.
Njëherit, u shkëmbyen mendime për gjendjen në Siri dhe në Irak si dhe për krizën migratore dhe të refugjatëve që ka përfshirë Evropën.
“Një nga instrumentet kryesore të bashkësisë ndërkombëtare për menaxhim me krizat komplekse të cilat janë kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, janë operacionet paqësore të OKB-së. Maqedonia si anëtare e përgjegjshme e kësaj organizate dhe fillimisht duke u nisuar nga angazhimi për mbrojtjen e paqes dhe sigurisë botërore, sikur deri tani, duke pasur parasyh pjesëmarrjet e deritanishme të pjesëtarëve të Armatës së Republikës së Maqedonisë në misionet e NATO-s, BE-së dhe OKB-së, edhe më tej fuqishëm qëndron në përcaktimin për pjesëmarrje në këto misione paqësore të OKB-së”, tha Jolevski.
Gjatë vizitës në SHBA ministri Jolevski zhvilloi takim pune edhe me Hoyt Yee, zëvendës-ndihmës sekretar shtetëror, ku me këtë rast u shkëmbyen mendime për gjendjen aktuale politike në Maqedoni, për zgjedhjet e ardhshme.
Jolevski siguroi bashkëfolësin e tij se Qeveria e Maqedonisë ka për qëllim që zgjedhjet të cilat do të mbahen më 11 dhjetor të jenë korrekte dhe demokratike.
Më pas ai tha se integrimet euroatlantike janë prioritet kulmor i jashtëm politik për Republikën e Maqedonisë. Në njoftim thuhet se SHBA-të kanë interes që Republika e Maqedonisë sa më shpejtë të bëhet anëtare e NATO-s dhe BE-së, dhe nëse zgjedhjet më 11 dhjetor janë korrekte dhe kredibile, SHBA-të do ta mbështesin Qeverinë e Maqedonisë në proceset integruese euroatlantike, në tërheqjen e investimeve të huaja dhe në përpjekjet për përmirësimin e ekonomisë.
Njëherit ministri Jolevski dërgoi urata deri te populli amerikan për presidentin e sapozgjedhur Donald Trump dhe shtoi se bashkëpunimi i ndërsjellë mes Maqedonisë dhe SHBA-ve që bazohet në marrëveshjen strategjike, do të vazhdojë të zhvillohet. Jolevski do të zhvillojë takime edhe me përfaqësues të Fondacionit "Heritage".