Fatjon Cuka
19 Korrik 2016•Përditësim: 20 Korrik 2016
TIRANË (AA) - Ministrja e Zhvillimit Urban të Shqipërisë, Eglantina Gjermeni ka realizuar një tryezë diskutimi me kryetarët e 26 bashkive të Shqipërisë dhe përfaqësuesit e studiove, që po punojnë për hartimin e planeve të përgjithshme vendore, të cilat pritet të miratohen së shpejti, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministrja Gjermeni gjatë fjalës së saj ka theksuar se procesi i hartimit të këtyre planeve duhet të jetë gjithëpërfshirës, transparent dhe të paraqesë këndvështrimet dhe interesat e qytetareve.
"Objektivi final është që ky proces të përmbyllet brenda këtij viti, jo vetëm hartimi i planeve të përgjithshme vendore, por edhe diskutimi i tyre në publik, i miratimit të tyre në këshillat bashkiakë dhe më tej miratimi i tyre në Këshillin Kombëtar të Territorit. Kështu quhet procesi tërësisht i finalizuar dhe atëherë themi që kemi 26 plane të përgjithshme vendore për 26 bashkitë e reja pas reformës territoriale-administrative. Jemi në një moment kyç dhe faza e parë e punës ishte shumë e rëndësishme, por jo dhe aq e lehtë. E vlerësoj shumë angazhimin e stafeve të bashkive. Procesi i hartimit të këtyre planeve duhet të jetë gjithëpërfshirës, transparent dhe të paraqesë këndvështrimet dhe interesat e qytetareve dhe grupeve të interesit", u shpreh Gjermeni.
Ajo ka shtuar më tej se bashkitë janë edhe në fazën që po hartojnë projektet strategjike për zhvillimin e këtyre planeve vendore.
Në Shqipëri këtë vit janë hartuar 31 plane të përgjithshme vendore për 31 bashki, ku 26 prej tyre mbështeten financiarisht dhe teknikisht nga Qeveria Shqiptare. Sipas ndarjes së re administrative të vendit, që vjen nga reforma territoriale e miratuar në Kuvendin e Shqipërisë, Shqipëria aktualisht ka 61 bashki. Më parë në Shqipëri ekzistonin 373 bashki dhe komuna (njësi vendore).