Alma Çekovic
19 Korrik 2016•Përditësim: 20 Korrik 2016
LONDËR (AA) – Është mbajtur në Londër mbledhja e parë qeveritare prej kur në krye të saj qëndron kryeministrja Theresa May, e cila premtoi se qeveria e saj daljen nga Bashkimi Evropian do ta shndërrojë në sukses, raporton Anadolu Agency (AA).
May, e cila ishte ithtare e qëndrimit në BE, të martën thirri përbërjen e plotë të kabinetit të saj, shtatë ditë pas mbajtjes së seancës së fundit qeveritare me kryeministrin në largim David Cameron.
Në kumtesën e Downing Street të publikuar pas takimit thuhet se May u ka thënë ministrave të bëjnë të pamundurën që Brexiti të jetë i suksesshëm për vendin.
"Brexit do të thotë Brexit, dhe ne do ta shndërrojmë në sukses", pati thënë ajo më herët.
"Nuk do të lejojmë vendi të përcaktohet nga Brexit. Në vend të kësaj do të avancojmë arsimin dhe aftësimin shoqëror në mënyrë që të mundësojmë prosperitet pas daljes nga BE-ja”, u ka thënë May anëtarëve të kabinetit qeveritar.