Rabia İclal Turan
18 Prill 2023•Përditësim: 19 Prill 2023
Shefi ekzekutiv i Twitter-it, Elon Musk, ka pohuar se qeveria amerikane kishte "qasje të plotë" në të dhënat e përdoruesve të platformës së mediave sociale, duke përfshirë mesazhet e drejtpërdrejta private, transmeton Anadolu.
Në një intervistë me prezantuesin e Fox News, Tucker Carlson, Musk tha se ishte i tronditur kur mësoi për mundësinë që qeveria t'i lexojë mesazhet e drejtpërdrejta të përdoruesve në platformën e tij.
"Shkalla në të cilën agjencitë qeveritare kishin në mënyrë efektive qasje të plotë në gjithçka që po ndodhte në Twitter, më çmendi", tha ai, duke shtuar: "Unë nuk kam qenë në dijeni për këtë".
Kur u pyet nga Carlson nëse qasja e plotë përfshinte mesazhet e drejtpërdrejta private të njerëzve, Musk u përgjigj "Po".
Musk bleu Twitter-in tetorin e kaluar në marrëveshjen 44 miliardë dollarëshe, pas muajsh negociatash.
Me marrjen e pronësisë, Musk bëri ndryshime të mëdha në Twitter, duke kërkuar ta shndërrojë atë në një kompani fitimprurëse. Ai bëri pushime masive nga puna, si dhe ndryshuar politikat e Twitter-it, duke përfshirë vendosjen e pagesës për llogaritë e verifikuara.