Zülfiya Yakup
03 Dhjetor 2015•Përditësim: 03 Dhjetor 2015
PRISHTINË (AA) – Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa deklaroi në mbledhjen e sotme të qeverisë se koalicioni qeverisës është i gatshëm të bisedojë me opozitën për problemet që preokupojnë, me qëllim që të gjejnë zgjidhje të bazuar në ligjet dhe kushtetutën e Kosovës, si dhe në rregulloren e Parlamentit të Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).
Një ditë pas vizitës së Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry në Prishtinë, kryeministri kosovar shfaqi shpresën se në Parlament më nuk do të ketë gaz lotsjellës dhe se organi më i lartë ligjvënës do të punojë me përbërje të plotë.
Mustafa ka theksuar se qeveria do t’i ofrojë opozitës që të ulen dhe të diskutojnë me qëllim të gjetjes së zgjidhjes dhe se më së miri është të diskutohet në Parlament. Qeveria është e përcaktuar të gjejë zgjidhje brenda institucionit.
Opozita e bashkuar kosovare tashmë tre muaj përmes përdorimit të gazit lotsjellës bllokon punën e Parlamentit, me të cilën tregon kundërshtimin e saj ndaj Marrëveshjes për Asociacionin e komunave serbe, si dhe Marrëveshjen e demarkacionit të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi.
Opozita kosovare konsideron se të dyja marrëveshjet janë të dëmshme për Kosovën dhe se kërcënojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit.